Kush preket më shumë nga epilepsia? Ndikimi që ka përdorimi i telefonit te adoleshentët

Nga Armend Pire
17 Shkurt 2025, 07:49 | Lifestyle

Kush preket më shumë nga epilepsia? Ndikimi që ka përdorimi

Epilepsia është një sëmundje kronike neurologjike e cila prek disa grupmosha. Fëmijët, adoleshentët dhe të rriturit mbi 60 vjeç janë individët që kanë shfaqje më të theksuara të kësaj sëmundje. Ajo ka disa shenja karakteristike që mund të çojë në identifikimin e saj nga mjekët. Sëmundja e epilepsisë mund të karakterizohet nga disa faktor të ndryshëm. Miti i temperaturës së lartë në moshë të hershme nuk qendron vetëm me një episod. E ftuar në studion e emisionit Diagnozë nga Freskida Miloti, Dr. Meri Papajani mjeke neurologe pranë Klinikës Vera-Virhov tha se si faktor ndikim të madh është gjenetika.

“Një temperaturë e lartë është një episod që ndodh, quhet episod febril dhe këtu duhet ta diferencojmë mirë. Një episod humbje vetëdije apo alterimit të koshiencës tek fëmijët e vegjël në terren të temperaturës së lartë nuk është epilepsi, nuk është baraz me epilepsi. Pacienti mund të bëjë disa të tilla në distanca kohe dhe, në mungesë të temperaturës, atëherë do karakterizohet dhe do hyjë te grupi i epilepsive tek kjo grupmoshë. Problemet gjenetike, mënyra se si është krijuar ky fëmijë apo kjo trashëgimia, kjo historia familjare janë ato shkaqet kryesore të zhvillimit të sëmundjes së mirëfilltë të epilepsisë. Por edhe te fëmijët nuk duhet të harrojmë që edhe një tumor mund të jetë pas një ataku epileptik” – tha mjekja.

Elektroencefalografia është një nga metodat më të sigurta për të zbuluar epilepsinë, që kryhet pranë Klinikës Vera-Virhov. Një ekzaminim elektrofiziologjik që është specifik për këtë sëmundje që mund të aplikohet për të gjithë grupmoshat, që nga fëmijët, te adoleshentët e deri te të rriturit. Elektroencefalografia përdoret si ekzaminim pranë Klinikës Vera-Virhov jo vetëm për epilepsinë por edhe për probleme të tjera neurologjike. Dhimbjet e forta të vazhdueshme të kokës, një sëmundje degjenerative apo sulmet ishemike, janë pjesë e punës së përditshme të mjekëve neurolog.

“Elektroencefalograma nuk ka indikacion vetëm për epilepsinë dhe diferencimin e formave të saj, por mund të vlejë edhe tek pacientët për të diferencuar ndryshimet që ndodhin në aktivitetin e kores së trurit dhe tek pacientët që vuajnë nga dhimbjet e kokës. Vlen edhe tek ata pacientë të cilët kanë bërë një insult ishemik ose hemorragjik apo kanë një tumor cerebral dhe kanë dhimbje koke. Indikacion tjetër është edhe dhimbja e kokës, por gjithashtu edhe problemet e kujtesës dhe çrregullimet e gjumit. Këto, duke u plotësuar me elektroencefalogramën dhe ndryshimet karakteristike që konfirmohen në të, ndihmojnë në vendosjen e diagnozës. Diagnoza klinike vendoset nëpërmjet vizitës së pacientit dhe anamnezës që merret. Një tjetër patologji janë sëmundjet neurodegjenerative” - shpjegoi Dr. Meri Papajani.

Përdorimi i celularit me orë të gjata mund të jetë shkaktar i disa simptomave të sëmundjeve neurologjike. Në një kohë kur teknologjia është bërë pjesë e pandarë e përditshmërisë, përdorimi i saj duhet të jetë në mënyrë të kujdesshme duke shmangur orët e gjata mbi pajisjet teknologjike. Shumica e adoleshentëve kanë një përdorim të tepërt të teknologjisë, por mbi të gjitha të videolojrave në telefonat e tyre. Qëndrimi me orë të gjatë përveç se u ndikon në zhvillimin e tyre, sjell dëme në shëndetin nervor, në mënyrën e të ushqyerit si dhe në sjelljen e tyre. Neurologia Dr. Meri Papajani, pranë Klinikës Vera-Virhov, shpjegoi sesi aparatet telefonike po shtojnë rastet me epilepsi te të rinjtë.

“Sidomos tek adoleshentët mbi 14-15 vjeç, të cilët na vijnë me dhimbje të forta koke. Gjatë marrjes së anamnezës, konstatojmë që këta persona abuzojnë me orët e qëndrimit para ekranit, kanë çrregullime të gjumit dhe shfaqin simptoma të ndryshme, si:
• Dhimbje të forta koke
• Episode me mpirje të anësive
• Lëvizje të pakontrolluara të mimikës dhe fytyrës
• Dridhje të dorës
Në shumë raste, këto simptoma konfirmohen si kriza epileptike refleksogjene, të shkaktuara nga ekspozimi ndaj dritave të ekraneve dhe emocioneve të forta gjatë lojërave elektronike. Këta persona shpesh harrojnë të hanë, nuk ushqehen dhe nuk hidratohen rregullisht, gjë që përkeqëson situatën” - tregoi mjekja neurologe.

 

Rubrika “Në Farmaci”, nga Freskida Miloti, vjen këtë herë me disa rekomandime për përdorimin e Vitaminës B12. Një vitaminë esenciale që luan një rol të rëndësishëm në shumë funksione të trupit. Ajo është e njohur për rëndësinë e saj në formimin e qelizave të kuqe të gjakut, shëndetin e sistemit nervor dhe sintezën e ADN-së. Vitamina B12 gjendet kryesisht në burime shtazore, duke përfshirë mishin, peshkun dhe fruta deti, produktet e qumështit dhe vezët. Emisioni Diagnozë, nga moderatorja dhe autorja Freskida Miloti, vjen për teleshikuesit e A2 CNN çdo të shtunë në orën 18:15, me tematika të ndryshme dhe mjaft të rendësishme për shëndetin. Ritransmetimi i emisionit është çdo të diel po në orën 18:15. Qëndroni të informuar nga mjekët më profesionist që janë pjesë e emisioneve tona, për një shëndet më të mirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos