
Birmingham City ka prezantuar planet madhështore për një stadium të ri me kapacitet 62000 vende, një projekt spektakolar që synon ta çojë klubin dhe qytetin “në një trajektore drejt madhështisë”.
Stadiumi, i quajtur “Birmingham City Powerhouse”, do të ndërtohet në zonën Bordesley Park dhe pritet të jetë gati për sezonin 2030-31. Investimi llogaritet deri në 2,5 miliardë paund, duke e bërë një nga projektet më ambicioze në futbollin britanik.

Projekti i ri frymëzohet nga trashëgimia industriale e qytetit dhe krahinës Midlands. Stadiumi do të ketë 12 oxhakë gjigante, që kujtojnë fabrikat historike të zonës, ndërsa një prej tyre do të ketë ashensor që të çon në pikën më të lartë të Birminghamit.
Arenën do ta përshkojë një strukturë me pjerrësi të lartë, në mënyrë që atmosfera e ndeshjeve të jetë sa më intensive dhe imponuese për rivalët. Stadiumi do të ketë çati dhe fushë të lëvizshme, duke e bërë të mundur organizimin jo vetëm të ndeshjeve të futbollit, por edhe për koncerte të mëdha, evente sportive të llojeve të tjera, madje edhe ndeshje NFL.
Tom Wagner, kryetar i klubit dhe bashkëinvestitor amerikan, në prezantimin e projektit tha: “Së bashku po e çojmë klubin dhe qytetin drejt madhështisë. Stadiumi do të jetë zemra që rreh për Birminghamin, një monument për historinë e tij industriale dhe një shfaqje e asaj që mund të arrihet në të ardhmen”.

Ky do të jetë një nga stadiumet më të mëdha në vend, me kapacitet 62 000 vende, stadiumi i ri do të jetë i dyti më i madh në Premier League, pas Old Trafford, duke lënë pas stadiume si ai i Tottenham Hotspur, Anfield dhe Emirates.
Birmingham City aktualisht luan në Championship dhe nuk ka qenë në Premier League që nga viti 2011, por me këtë projekt synon të rikthehet në elitë me stil dhe me një shtëpi që premton të hyjë në historinë e futbollit europian. (A2 Televizion)
