Më të lumtur, më të shëndetshëm dhe më produktivë, studimi konfirmon përfitimet nga java e shkurtër e punës

Nga A2 CNN
24 Korrik 2025, 17:27 | Lifestyle

Më të lumtur, më të shëndetshëm dhe më

Shëndet më i mirë fizik dhe mendor, produktivitet më i madh dhe kënaqësi më e madhe, përveç të njëjtës pagë si më parë. Në këtë përfudnim ka arritur një studim mbi javën e punës katër-ditore, më i madhi i botuar deri më sot, në Nature Human Behavior. Studimi u krye me gati 2,900 punonjës nga 141 kompani në gjashtë vende që miratuan një javë pune katër-ditore, shkruan A2 CNN. Frika se më pak kohë në dispozicion për të kryer të njëjtat detyra do të çonte në stres shtesë, duket e pabazuar.

Shkencëtarët nuk gjetën prova të këtij efekti, i cili, nëse është i pranishëm, tejkalohet nga përfitimet e pushimit të shtuar.

Wen Fan, një sociolog në Boston College në Massachusetts, dhe kolegët e tij analizuan të dhënat e 2,896 personave nga 141 kompani në Australi, Zelandën e Re, Shtetet e Bashkuara, Kanada, Irlandë dhe Mbretërinë e Bashkuar që kishin marrë pjesë në një program pilot të drejtuar nga organizata jofitimprurëse 4 Day Week Global për të ndihmuar kompanitë të zbatojnë një javë pune katër-ditore, përcjell A2 CNN.

Për tetë javë, kompanitë punuan me trajnerë ekspertë për të rishikuar rrjedhat e tyre të punës në 80% të orarit të tyre të mëparshëm të punës, duke i mbajtur punonjësit në të njëjtën shkallë page si më parë. Proceset qartësisht joefikase dhe që kërkonin shumë kohë, siç ishin takimet e panevojshme u eliminuan dhe punonjësit plotësuan pyetësorë në lidhje me mirëqenien e tyre mendore, duke përfshirë edhe atë që i frustronte në vendin e punës, raporton A2 CNN.

Pas gjashtë muajsh, ata që kishin marrë pjesë në javën e shkurtër të punës, raportuan vetë rritje të produktivitetit, shëndet më të mirë dhe kënaqësi më të madhe në punë krahasuar me punonjësit në 12 kompani që kishin menduar të merrnin pjesë në program, por më pas e kishin braktisur.

Krahasuar me pyetësorët e plotësuar në fillim, punonjësit në 141 kompanitë pjesëmarrëse raportuan gjithashtu nivele më të ulëta të lodhjes profesionale, kënaqësi më të madhe se më parë dhe shëndet më të mirë mendor dhe fizik. Shkencëtarët besojnë se kjo mund të jetë për shkak të cilësisë dhe sasisë më të mirë të gjumit, më pak lodhje dhe ndjenjës se mënyra e tyre e punës ishte përmirësuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos