Një grup studiuesish ka zbuluar se Aspergillus flavus, kërpudha vrasëse e lidhur me mallkimin e faraonit Tutankhamun, mund të nxirret për të luftuar në mënyrë efektive qelizat kancerogjene të leuçemisë. Ky zbulim i rëndësishëm, i detajuar në një studim të botuar në “Nature Chemical Biology”, hap derën për trajtime të reja të mundshme natyrore për kancerin.
Aspergillus flavus është një kërpudhë toksike që dyshohet se ka shkaktuar vdekjen e disa arkeologëve me kalimin e kohës. Në vitet 1920, disa njerëz vdiqën pasi hapën varrin e Faraonit Tutankhamun, duke kontribuar në përhapjen e legjendës së famshme të "mallkimit të faraonit".
Por dekada më vonë, u zbulua se mallkimet kishin pak të bënin me të, vrasësit ishin ndoshta spore kërpudhash që kishin qëndruar në gjumë në sarkofag për mijëvjeçarë. Në vitet 1970, diçka e ngjashme u ndodhi shkencëtarëve që hynë në varrin e Mbretit Kazimiri IV në Poloni, brenda pak javësh, dhjetë vetë vdiqën. Në këtë rast, fajtori u identifikua dhe ishte kërpudha Aspergillus flavus, toksinat e së cilës mund të shkaktojnë infeksione të mushkërive, veçanërisht tek njerëzit me imunitet të kompromentuar.
Peptidet ribozomale të modifikuara (RiPP), përbërës kimikë që gjenden shpesh në baktere, por shumë më rrallë në kërpudha, janë ato që transformojnë një kërpudhë toksike në një terapi antitumorale. Duke pastruar katër lloje të ndryshme të RiPP-ve që gjenden në A. flavus, studiuesit identifikuan molekula të veçanta, të papara më parë, të quajtura asperigimicina, të afta për të luftuar në mënyrë efektive qelizat e leuçemisë. Një variant molekular në veçanti, të cilit iu shtua një lipid (një molekulë yndyre), prodhoi të njëjtat rezultate si citarabina dhe daunorubicina, dy ilaçe të miratuara nga FDA për të trajtuar leuceminë
Por si funksionon? Teste të mëtejshme kanë treguar se asperigimicinat funksionojnë duke parandaluar ndarjen e qelizave tumorale: "Këto molekula bllokojnë formimin e mikrotubulave , të cilat janë thelbësore për ndarjen e qelizave", shpjegon Gao, një nga autorët e studimit. Fatkeqësisht, këto komponime nuk janë në gjendje të luftojnë qelizat e kancerit të gjirit, mëlçisë ose mushkërive.
Hapi tjetër është testimi i efekteve të asperigimicinës në modelet shtazore dhe, një ditë, kalimi në prova klinike te njerëzit: "Natyra na ka dhënë një farmaci të jashtëzakonshme: tani varet nga ne të zbulojmë sekretet e saj", përfundon Gao. (A2 Televizion)