Nga humbje kohe në aventurë, si po shndërrohen tranzitet me avion

Nga A2 CNN
21 Gusht 2025, 16:13 | Lifestyle

Nga humbje kohe në aventurë, si po shndërrohen tranzitet me avion

Ndalesat e gjata në aeroport shpesh shihen si humbje kohe, por gjithnjë e më shumë linja ajrore po i shndërrojnë ato në mundësi për udhëtarët. Përmes programeve të posaçme, turistët mund të eksplorojnë qytetin e ndalesës, shpesh me akomodim dhe transport falas, madje edhe me viza të përkohshme të ofruara nga vetë kompanitë ajrore.

Eksperti i udhëtimeve David Perez, bashkëthemelues i iVisa, shpjegon se shumë kompani bashkëpunojnë me aeroportet për të ofruar zbritje në hotele dhe transferta, duke i inkurajuar pasagjerët të zbulojnë destinacionin përtej terminalit. Zakonisht kërkohet një ndalesë minimale prej 8 deri në 24 orësh, por për ata që përfitojnë, kjo mund të sjellë një eksperiencë të re pa shpenzime shtesë të mëdha.

Shembujt janë të shumtë: Turkish Airlines ofron një natë falas në hotel me 4 yje për udhëtarët në ekonomi dhe dy net në një hotel luksoz për ata në biznes, përmes programit “Stopover in Istanbul”. Qatar Airways siguron akomodim, transport dhe madje një vizë të shkurtër falas për ndalesat 8–24 orëshe në Doha, mjafton që pasagjeri të aplikojë online 72 orë para nisjes. Programe të ngjashme ofrojnë edhe Iberia, TAP Portugal dhe Etihad, ndërsa Icelandair u lejon pasagjerëve drejt SHBA-së të qëndrojnë deri në shtatë net në Islandë pa kosto shtesë të biletës (por duke paguar akomodimin vetë).

Këto mundësi shfrytëzojnë shpesh edhe rregullat e vizave tranzit, që u lejojnë udhëtarëve të hyjnë në qytet pa aplikime zyrtare. Udhëtari Michael Zervos, i cili vendosi rekordin botëror si njeriu më i shpejtë që udhëtoi botën, tha se ndalesat u kthyen në kujtimet e tij më të bukura, pasi i dhanë mundësinë të eksploronte vende të reja me pak shpenzime, shkruan

Megjithatë, disa turistë përdorin edhe trukun e njohur si “skiplagging”, ku pasagjeri zbret në qytetin e ndalesës në vend që të vazhdojë drejt destinacionit final. Kjo mund të sjellë kursime, por linjat ajrore e urrejnë, dhe pasagjerët rrezikojnë të përjashtohen nga kompanitë nëse e bëjnë shpesh. Për më tepër, ky truk funksionon vetëm me bagazh dore, pasi valixhet shkojnë deri në destinacionin final. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos