Nga Stambolli në Havana, 10 qytete shumëngjyrëshe në botë

Nga A2 CNN
27 Qershor 2024, 11:49 | Lifestyle

Qytete shumëngjyrëshe, me rrugë, sheshe dhe lagje të tëra të karakterizuara nga ngjyra të forta apo nuanca pastel. Disa janë shumë të famshme, të tjera më pak të njohura, por të gjitha duhen parë dhe admiruar.

1. Kampung Pelangi, Semarang, Indonezi – Shumë e njohin atë si "Fshati i Ylberit". Ndodhet në zemër të ishullit Java, në jug të qytetit të Semarang dhe u transformua në këtë formë kur banorët ndoqën sugjerimin e qeverisë dhe lyen fasadat e shtëpive me ngjyra të ndezura. Që nga ai moment kjo zonë e varfër dhe me pamje anonime, është kthyer në një atraksion turistik, gjithashtu shumë i kërkuar në internet.    

2. Indi e Vogël, Singapor – Lagjja indiane e Singaporit u ndërtua në fillim të shekullit të 19-të, periudhë në të cilën qytet-shteti filloi të prekej nga një fluks migrantësh nga India. Atmosfera është intensive dhe e gjallë, plot sugjerime dhe ngjyra. Një nga monumentet më të vizituara, përveç tempujve të shumtë hindu, është vila Tan Teng Niah, e mbuluar tërësisht me dekorime shumëngjyrëshe. 

3. Fshari Rainbow, Taichung, Tajvan - Një fshat ish-ushtarak, i shndërruar në një kryevepër të artit të rrugës në vitin 2007, kur ish-Veterani i luftës, Huang Yong-fu, dekoroi shtëpinë e tij me murale shumëngjyrëshe në shenjë proteste kundër planit të qeverisë për të prishur lagjen. Që atëherë vendi është kthyer në një atraksion turistik, i vizituar nga rreth një milion njerëz në vit.

4. Guatape, Kolumbi - Edhe qendra historike e qytetit kolonial të Guatape, në Kolumbi, është një mrekulli e vërtetë për t'u parë. Dekorimet dhe basorelievet e pikturuara me motive kaleidoskopike që i referohen traditës artistike dhe fetare të vendit të Andeve e kanë shndërruar vendin në një pikë turistike shumë të njohur.

5. Habana Vieja, Kubë - La Habana Vieja ose Havana e Vjetër, është një komunë në kryeqytetin kuban. Rrugicat piktoreske dhe ndërtesat shumëngjyrëshe të kësaj zone urbane i japin asaj një bukuri të madhe. Nuk është rastësi që në vitin 1982 u përfshi në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

6. Curaçao, Karaibe - Kryeqyteti i ishullit të Karaibeve i përket politikisht Holandës. Qendra historike është shtëpia e sinagogës më të vjetër në Amerikë dhe që nga viti 1997 ka qenë një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Shtëpitë e saj shumëngjyrëshe me ngjyra pastel dhe me pamje nga oqeani janë një nga atraksionet që tërheqin turistë dhe vizitorë nga e gjithë bota.

7. Burano, Venecia, Itali - Duke folur për fshatrat shumëngjyrëshe, nuk mund të harrojmë Buranon, në Venecia. Katër ishuj të ndarë nga tre kanale të brendshme janë të famshëm për shtëpitë shumëngjyrëshe. Thuhet se ngjyrat e fasadave lidheshin me zakonet e varkatarëve, të cilët në këtë mënyrë mund ta njihnin shtëpinë e tyre nga larg edhe në ditët e mjegullës së dendur.    

8. Colmar, Francë – Distrikti Petite Venise, ose “Venecia e vogël e Francës”, është një xhevahir i vogël i arkitekturës mesjetare alzastike. Jo shumë larg kufirit gjerman dhe disa kilometra në jug të Strasburgut, është një atraksion popullor turistik me kanalet piktoreske dhe ndërtesat e vogla shumëngjyrëshe. 

9. Chefchaouen, Marok –Qyteti Blu i Marokut, ndodhet në rajonin Tangier-Tetuan, rrëzë masivit Rif. Shtëpitë dhe rrugët janë lyer me bojë blu, por nuk është e qartë pse u zgjodh ngjyra blu e hapur për të lyer shtëpitë. Ndoshta për të mbajtur shtëpitë më të freskëta ose për efektin kundër insekteve që i atribuohet kësaj ngjyre. 

10. Balat, Stamboll, Turqi - Lagjja e vjetër e hebrenjve në Stamboll ndodhet në pjesën evropiane të kryeqytetit turk, në bregun perëndimor të Bririt të Artë. Ndërtesat e saj shumëngjyrëshe e bëjnë atë një nga lagjet më me ngjyra në botë. Emigrimi i popullsisë etnike hebreje në Izrael dhe imigrimi nga juglindja turke kanë shkaktuar ndryshime, por lagjja ruan të gjithë hijeshinë e saj.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos