Rama prezanton “Pasqyra Albania”: Ankesat e qytetarëve do të ndiqen si pakot postare në kohë reale

Nga A2 CNN
1 Nëntor 2026, 13:33 | Politikë

Rama prezanton “Pasqyra Albania”: Ankesat e qytetarëve do

Kryeministri Edi Rama prezantoi platformën “Pasqyra Albania”, përmes së cilës synohet që qytetarët të kenë akses në informacion mbi projektet dhe punët që po zhvillohen në zonat ku jetojnë, si dhe të ndjekin në kohë reale ankesat dhe kërkesat e tyre drejtuar institucioneve.

Gjatë prezantimit, Rama tha se platforma do të mundësojë që çdo qytetar, përmes një klikimi, të shohë se çfarë po ndodh në zonën e tij, në çfarë faze ndodhen projektet dhe nëse ato janë pezulluar apo vonuar.

Kryeministri u shpreh se platforma do të shërbejë edhe për të verifikuar informacionet që qarkullojnë, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të përballin pretendimet me të dhënat konkrete.

“Janë një sërë elementësh të tjerë të Pasqyrë Albania që transformojnë këtë marrëdhënie, duke vendosur të gjithë shtetin në sytë e qytetarit me një klik, me një dritare të vetme. Në çdo zonë të interesit, një qytetar nga Vlora do të shikojë çfarë po bëhet aktualisht në zonën e tij, në çfarë stadi janë projektet, që mund të jenë të pezulluara, të vonuara, në mënyrë që çdo gjysmë e vërtetë, pa llogaritur gënjeshtrat totale, të mund t’i ballafaqojë vetë qytetari me mundësinë për të ndezur Pasqyrë Albania. Do ta kthejmë çdo hall, çdo ankesë, çdo problem, në një pako DHL-je. Siç nisim një letër që e ndjekim se ku ndodhet, do të bëjmë edhe me ankesën, kërkesën, shqetësimin. Kjo do t’i japë mundësinë qytetarit të shohë statusin e pakos së vet, dhe institucionit, shkallës së hierarkisë, që të shohë në kohë reale se ku ngec një pako apo ankesë. Dhënia e përgjigjes në kohë është një detyrim që duhet ta mbajmë si parësorin në këtë marrëdhënie”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos