Përplasjet në protestë, 6 persona në pranga për “vrasje në tentativë ndaj policit”

Nga Igli Çelmeta
1 Nëntor 2026, 13:25 | Kronikë

Protesta e dytë kombëtare, e mbajtur të shtunën nga studentët dhe opozita, solli kaos në rrugët e kryeqytetit si dhe përplasje të shumta mes protestuesve dhe policisë. Përplasjet nuk munguan as ndaj vetë protestuesve, ku studentët që po protestonin te Ministria e Arsimit nuk pranuan që deputetët e PD të bashkoheshin me ta.

Protesta u zhvendos te kryeministria, ku u shënuan incidente të tjera. Uniformat blu përdorën dy autobot uji të rinjë si dhe dronin që monitoronte por mund të hidhte edhe gaz. Në performacën e tij të parë, droni i policisë dështoi, duke u rrëzuar.

Gazit lotsjellës dhe sprajt me piper, nuk i shpëtuan as gazetarët dhe operatorët.

Lidhur me protestën, policia arrestoi 6 persona dhe procedoi në gjendje të lirë 3 të tjerë dhe dy u shpallën në kërkim. Mes të arrestuarve janë dy të mitur, dhe një shtetas i huaj.

Për herë të parë 6 të arrestuarit do të përballen me një vepër të rëndë penale, “Vrasja e punonjësit të Policisë”, e mbetur në tentativë. Ata akuzohen për sulmet me molotovë ndaj bluve, me gurë, lëndë piroteknike dhe me sfera dhe vida metalike përmes llastiqeve. Dy të rinj policia i kapi me bomba molotovë.

Policia publikoi video të protestuesve të cilët dolën sërish me maska dhe nuk u tërhoqën nga sulmet, as pas thirrjes me megafon të uniformave blu dhe pas miratimit të aktit normative për tubimet ku nuk lejohet të protestosh i maskuar dhe duke kryer akte dhune.

Pasi të dalin në gjykatë për masë sigurie, nëse arrestimi i 6 protestuesve të maskuar do të konsiderohet i ligjshëm ndaj tyrë do të rëndojë edhe gjoba deri në 5 mln lekë të vjetra sipas aktit normativ të miratuar nga qeveria. Ndërsa për dy të miturit, faturën do duhet ta paguajnë prindërit e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos