Një studim i fundit nga Universiteti i Kalifornisë në Riverside, i botuar në revistën Science, sugjeron një skenar të pazakontë për të ardhmen e klimës së Tokës: një epokë e re akullnajash, e shkaktuar nga vetë mekanizmat natyrorë të planetit.
“Një mekanizëm i anashkaluar më parë në ciklin e karbonit të Tokës mund të bëhet një korrektor "i ekzagjeruar" për ngrohjen globale: në vend që të stabilizojë klimën, mund ta ftohë atë deri në pikën e zhytjes së planetit në një epokë të re akullnajash”, thuhet në studim.
Sipas studimit në thelb të këtij skenari është cikli i karbonit, ku shiu përthith dioksidin e karbonit (CO₂) nga atmosfera dhe shpërbën shkëmbinjtë, duke çliruar kalcium dhe fosfor që përfundojnë në oqean. Këto ushqejnë planktonin, i cili përmes fotosintezës thith CO₂-në dhe pasi vdes, e zhyt në fundin e oqeanit, duke e larguar nga atmosfera për periudha shumë të gjata. Studimet e vetë sedimenteve tregojnë se si cikli i karbonit ka pësuar ndryshime drastike gjatë epokave akullnajore dhe ndërakullnajore.
Ky "mekanizëm ftohës" mund të vazhdojë përtej nevojës, duke vepruar si një kondicioner pa ndalesë, e kështu, në një të ardhme shumë të largët, dhjetëra apo qindra mijëra vjet, mund të nxisë ftohje ekstreme dhe një epokë akullnajash.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se ky proces nuk ka asnjë ndikim të menjëhershëm, dhe ngrohja globale mbetet kërcënimi kryesor për shekujt e ardhshëm. Ngrohja globale mbetet kërcënimi kryesor për shekujt e ardhshëm. Sipas tyre ngrohja globale do të vazhdojë në dekadat e ardhshme me pasoja të prekshme, nga një rritje e ngjarjeve ekstreme deri te rritja e nivelit të detit. Për këtë arsye, shpjegojnë studiuesit, politikat e reduktimit të emetimeve dhe strategjitë e përshtatjes mbeten përparësia kryesore.
Modelet aktuale të klimës nuk mund të parashikojnë saktësisht ndikimin afatgjatë të këtij fenomeni, ndaj prioritet mbeten reduktimi i emetimeve dhe përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike që po ndodhin tashmë. (A2 Televizion)