Po testohet në 7 vende, si funksionon vaksina e re kundër kancerit të mushkërive?

Nga A2 CNN
27 Gusht 2024, 09:47 | Lifestyle

Po testohet në 7 vende, si funksionon vaksina e re kundër kancerit

Shtatë vende kanë filluar testimin e një vaksine mRNA kundër kancerit të mushkërive me teknologji të ngjashme me atë të vaksinave të përdorura kundër Covid dhe që fillimisht u zhvillua në fushën e kërkimit onkologjik. Rezultatet e kësaj sprove të fazës 1 mund të shënojnë një pikë kthese në trajtimin e një sëmundjeje që është ende ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në vendet e industrializuara.

Të dhënat paraprake, të publikuara në “Journal for ImmunoTheraphy of Cancer”, ishin premtuese në funksion të përdorimit të saj si vetëm ashtu edhe në kombinim me antitrupin monoklonal cemiplimab. Por rezultate përfundimtare për sigurinë dhe efektet e ilaçit nuk do të kemi përpara janarit 2026 .

Vaksina BNT116 është prodhuar nga kompania farmaceutike gjermane BioNTech dhe është për qëllime terapeutike , jo parandaluese si ato që jemi mësuar. Do të thotë se duhet të administrohet pas diagnozës së kancerit.

Qelizat tumorale do të duhet të eliminohen, duke shmangur dëmtimet e atyre të shëndetshme, siç ndodh në mënyrë të pashmangshme gjatë kimioterapisë.

Faza eksperimentale përfshin një dozë të parë që përbëhet nga gjithsej gjashtë injeksione të njëpasnjëshme, të kryera me një distancë prej pesë minutash. Për gjashtë javët e para, pacienti do të duhet të përsërisë procedurën një herë në javë . Më pas do të kalojë në një herë në tre javë për 54 javë (pak më shumë se një vit). Megjithatë, vaksina do të përdoret gjithmonë në kombinim me trajtimet ekzistuese, të tilla si imunoterapia dhe kimioterapia.

Gjatë fazës 2, kombinimi i vaksinës me antitrupin monoklonal cemiplimab do të vlerësohet si një trajtim i mundshëm i linjës së parë për pacientët me kancer metastatik.

Studimi filloi që në vitin 2022 dhe do të përfshijë 34 qendra kërkimore nga shtatë vende të ndryshme: Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Hungaria, Polonia, Spanja dhe Turqia. Në total, do të regjistrohen rreth 130 pacientë, me sëmundje të hershme, të avancuar, metastatike ose recidiva. Në fakt, një nga problemet kryesore me këtë tumor është tendenca e lartë për t'u përsëritur, pavarësisht trajtimeve të mëparshme apo operacioneve.

Pacienti i parë që e mori atë në Mbretërinë e Bashkuar ishte Janusz Racz, një londinez 67-vjeçar i cili mori diagnozën majin e kaluar dhe tashmë po i nënshtrohet kimioterapisë dhe radioterapisë. Profesioni i tij, një studiues ekspert në inteligjencën artificiale, e frymëzoi atë të merrte pjesë në eksperiment. "Unë jam gjithashtu një shkencëtar dhe e kuptoj që përparimi i shkencës, veçanërisht në fushën e mjekësisë, bazohet te njerëzit që pranojnë të përfshihen në këtë hulumtim", tha ai . "Unë gjithashtu mendova se pjesëmarrja ime mund të ndihmojë njerëzit e tjerë në të ardhmen dhe ta shtyjë këtë terapi të bëhet më e disponueshme."

Testet e para kanë ngjallur një atmosferë shprese dhe entuziazmi te studiuesit, të cilët e kanë përcaktuar këtë vaksinë revolucionare për parandalimin e rikthimit të tumorit dhe si një epokë e re për trajtimin e kancerit të mushkërive.

Vetëm në vitin 2020 u regjistruan 1.8 milionë vdekje në botë, me një shkallë shumë të ulët mbijetese te pacientët, sëmundja e të cilëve ishte në një fazë të avancuar. Fatkeqësisht, kjo nuk është një përqindje e vogël, nëse kemi parasysh se fazat e hershme të këtij kanceri janë shpesh asimptomatike.

Lloji i qelizave jo të vogla është më i përhapuri, duke mbuluar pothuajse 80% të diagnozave të përgjithshme. Shkaqet kryesore përfshijnë pirjen e duhanit, por edhe ndotjen e ajrit dhe infeksionet e mëparshme të mushkërive. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos