
Një studim i ri nga Universiteti Uppsala në Suedi ka zbuluar se antibiotikët mund të ndikojnë në mikrobiomën e zorrëve për shumë vite pas përdorimit të tyre, madje edhe pas një cikli të vetëm trajtimi. Kërkimi i publikuar në revistën shkencore “Nature Medicine” analizon efektet afatgjata të këtyre barnave në bakteret e dobishme të organizmit.
Antibiotikët përdoren për të luftuar bakteret që shkaktojnë infeksione, por për shkak të veprimit të tyre të fuqishëm antimikrobik, ata ndikojnë edhe bakteret e dobishme që jetojnë në zorrë. Kjo mund të ndryshojë përbërjen e mikrobiomës intestinale, e cila luan rol të rëndësishëm në tretje, sistemin imunitar dhe shëndetin e përgjithshëm.
Studiuesit analizuan të dhënat e 14.979 të rriturve në Suedi, duke krahasuar historinë e përdorimit të antibiotikëve me përbërjen e mikrobiomës së tyre të zorrëve. Rezultatet treguan se disa antibiotikë mund të lidhen me ndryshime në mikrobiomë edhe katër deri në tetë vjet pas trajtimit.
Sipas autorëve të studimit, edhe një cikël i vetëm me disa lloje antibiotikësh mund të lërë gjurmë afatgjata në bakteret e zorrëve. Ndryshimet më të forta u vunë re tek antibiotikët si klindamicina, fluorokinolonët dhe flucloxacillina, pwrkundwr penicilinws V, një nga antibiotikët më të përdorur për infeksionet jashtë spitaleve në Suedi, u lidh me ndryshime më të vogla dhe më të shkurtra në mikrobiomë.
Studiuesit theksojnë se antibiotikët mbeten thelbësorë për trajtimin e infeksioneve serioze dhe duhet të përdoren sipas rekomandimeve të mjekut.
Megjithatë, gjetjet e studimit mund të ndihmojnë në përmirësimin e udhëzimeve për përdorimin e tyre në të ardhmen, sidomos kur duhet zgjedhur mes dy antibiotikëve me efekt të ngjashëm, por me ndikim të ndryshëm në mikrobiomën e zorrëve. (A2 Televizion)