Kievi do përfitonte i pari, plani amerikan: Futeni Rusinë në tregun europian të gazit

Nga Erjon Dervishi
2 Nëntor 2026, 22:54 | Bota

Shtetet e Bashkuara po mbështesin një rifillim të shpejtë të shitjeve të gazit natyror rus në Evropë, nëpërmjet tubacioneve që kalojnë nëpër Ukrainë, armikun e Moskës në kohë lufte, si pjesë e negociatave që synojnë sigurimin e një armëpushimi energjetik përpara dimrit të ardhshëm.

Ideja, e ngritur nga të dërguarit amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff gjatë vizitave në Moskë dhe Kiev në shtator, do të përfshinte shitjen e gazit rus nëpërmjet një ndërmjetësi amerikan për të anashkaluar sanksionet evropiane. Kjo mund të krijonte gjithashtu një mundësi fitimprurëse për investitorët amerikanë, thanë burime për The Wall Street Journal.

Sipas legjislacionit aktual të Bashkimit Evropian, të gjitha blerjet e gazit natyror rus duhet të hiqen gradualisht deri në fund të vitit 2027. Udhëheqësit e vendeve më të mëdha të Evropës kanë thënë se nuk kanë interes të rivendosin varësinë e tyre nga furnizimet me energji prej një vendi që e shohin si kërcënimin e tyre kryesor strategjik.

Plani u la në plan të dytë muajin e kaluar, pasi Ukraina ndaloi në mënyrë të njëanshme sulmet ndaj rafinerive ruse nën presionin e presidentit Trump. Kievi ndërpreu sulmet ndaj rafinerive ruse për gati dy javë, ndërsa Rusia vazhdoi të godiste infrastrukturën energjetike të Ukrainës dhe Moska filloi të dërgonte naftë në SHBA. SHBA-ja e zhvendosi vëmendjen te mundësia e një marrëveshjeje më thelbësore paqeje.

Sipas negociatorëve amerikanë, një rikthim i Rusisë në tregun evropian të gazit natyror do të krijonte një nxitje të fuqishme për presidentin Vladimir Putin që të binte dakord me marrëveshjen. Përdorimi i rrjetit të tubacioneve të epokës sovjetike, që shkon në Evropë nëpërmjet Ukrainës nga fushat e gazit Urengoi në Siberi, do t'i siguronte gjithashtu Kievit të ardhura shumë të nevojshme nga tarifat e tranzitit.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë propozuan që Rusia të depozitojë të ardhurat e fituara nga këto shitje gazi në Evropë në një llogari depozite në një juridiksion të një pale të tretë, në mënyrë që Kremlini të mos i përdorë paratë për të financuar luftën, tha një zyrtar i lartë amerikan.

Ata janë përpjekur t'ua paraqesin idenë udhëheqësve evropianë si një mënyrë për të ulur çmimet e energjisë përpara një dimri, kur rezervat e gazit të Evropës kanë arritur nivelin e tyre më të ulët sezonal në disa vite.

Një presion i tillë përfaqëson një kthesë të plotë nga qëndrimi i administratës së parë të Trump. Në atë kohë, Trump e kritikoi vazhdimisht kancelaren gjermane Angela Merkel për ndërtimin e tubacionit Nord Stream 2 nga Rusia. Ai paralajmëroi se Nord Stream 2 do ta bënte Gjermaninë “robëreshë të Rusisë” dhe, në fund të vitit 2019, vendosi sanksione ndaj tij.

 

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos