Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka komentuar protestat e studentëve dhe raportin e opozitës me këtë lëvizje, duke theksuar se PD po i mbështet ata pa tentuar të marrë drejtimin e protestës.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, Boçi deklaroi se opozita po tregohet e kujdesshme dhe po mbështet studentët në mënyrë qytetare, pa përdorur simbolet partiake apo tentuar të përvetësojë kauzën e tyre.
Ai u ndal edhe te kritikat ndaj partive politike gjatë protestës, duke argumentuar se një protestë që ka si objektiv rrëzimin e qeverisë nuk duhet të shndërrohet në një lëvizje kundër partive. Sipas Boçit ata që e bëjnë këtë kërkojnë të marrin pushtetin.
“Opozita është në lartësinë e aksionit të saj, po u jep mbështetje studentëve? Po. Po e bën në mënyrë të sinqertë? Po. Pa simbolet e veta, pa dëshirën për ta kapur protestën, por me një sjellje qytetare. Incidentet janë shpjeguar. Nëse ke një protestë që është kundër qeverisë, s’mund të kesh edhe një protestë kundër partive. Nëse ti kërkon të sulmosh edhe partitë politike, atëherë e ke edhe ti për kapital politik. Mendon që brenda opozitës ai do marrë lokomotivën dhe duke sulmuar një parti, edhe për efekte të diferencave ideologjike, mendon që do fitojë hapësirë te votuesi, në fakt ai e di shumë mirë edhe rezultatin, kur devijon qëllimin e protestës nga anti-qeveritare në anti-partiake, atëherë i ka shërbyer domosdoshmërisht qeverisë. Shkaku është qeveritar dhe kush është i lidhur me mazhorancën dhe qeverinë dhe pasoja është kundër qeverisë, dhe kjo duhet të shprehet jo më kundër partive. Ata e bëjnë për të marrë pushtetin. Ky të shtyn të bësh aleanca të karakterit të ideologjisë tënde”.
(A2 Televizion)