Zhvillohet “Maratona e Bebeve” në Pogradec, vogëlushët dhurojnë spektakël

Nga Artin Halili
25 Korrik 2026, 09:23 | Lifestyle

Zhvillohet “Maratona e Bebeve” në Pogradec,

Garë, emocione dhe kampionë ka shënuar edicioni i katërt i “Maratonës së Bebeve” në Pogradec, një aktivitet tashmë i kthyer në traditë, i cili lindi si një nismë sportive në Pogradec dhe rikthehet çdo vit për të sjellë buzëqeshje, emocione dhe momente të paharrueshme.

Protagonistë të kësaj gare simbolike ishin fëmijët e moshës 1 deri në 3 vjeç, të cilët, me hapat e tyre të parë, dhuruan spektakël për pranishmit, shkruan A2 CNN. Në aktivitet morën pjesë vogëlushë nga Pogradeci, por edhe fëmijë të familjeve pushuese që po kalojnë verën në qytetin liqenor.

Më shumë sesa një garë, “Maratona e Bebeve” synon të promovojë vlerat familjare, stilin e jetesës aktive dhe përfshirjen e fëmijëve në aktivitete sportive e argëtuese që në moshë të hershme.

Prindërit, të emocionuar dhe krenarë, ndoqën nga afër çdo hap të “kampionëve” të tyre të vegjël, duke krijuar një atmosferë plot dashuri, entuziazëm dhe duartrokitje.

Aktiviteti zhvillohet në kuadër të Maratonës Ndërkombëtare Enkelana, e cila këtë vit organizohet për të pestën herë në Pogradec, duke mbledhur sportistë nga 40 vende të ndryshme të botës dhe duke e shndërruar qytetin në një destinacion të rëndësishëm të sportit, turizmit gjatë sezonit veror. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos