Shuhet aktori i famshëm amerikan, ylli i "Top Gun" dhe "Batman"

Nga A2 CNN
2 Prill 2025, 07:35 | Showbiz

Shuhet aktori i famshëm amerikan, ylli i "Top Gun" dhe

Aktori i njohur amerikan, Val Kilmer, i famshëm për rolet e tij në Top Gun dhe Batman Forever, ka ndërruar jetë në moshën 65-vjeçare.

Sipas vajzës së tij, Mercedes, Kilmer u nda nga jeta të enjten në Los Anxhelos si pasojë e pneumonisë. Ai ishte diagnostikuar me kancer në fyt në vitin 2014, por më vonë ishte shëruar.

Aktori e realizoi rolin e tij të fundit të madh në vitin 2022, kur riktheu personazhin e tij legjendar, Iceman, në Top Gun: Maverick, përkrah Tom Cruise.

“Do të më mungosh, mik. Ti ishe një shpirt i zjarrtë, i guximshëm dhe krijues,” shkroi aktori Josh Brolin në një mesazh lamtumir, shkruan A2 CNN.

Në vitin 2021, Kilmer publikoi dokumentarin Val, i cili tregonte uljet dhe ngritjet e jetës së tij përmes regjistrimeve personale nga katër dekada. Dokumentari debutoi në Festivalin e Kanës dhe përfshinte pamje të Kilmerit duke folur me një pajisje speciale pas operacionit.

Val Kilmer lindi më 31 dhjetor 1959 në Los Anxhelos. Ai u bë nxënësi më i ri që u pranua në shkollën prestigjioze Juilliard në moshën 17-vjeçare.

Kilmer la pas dy fëmijë nga martesa me aktoren Joanne Whalley.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos