
Një kompani britanike me seli në Uells po e kthen në realitet atë që deri pak kohë më parë dukej si fantashkencë: prodhimin industrial në hapësirë. Space Forge ka dërguar me sukses në orbitë një mini-fabrikë me madhësinë e një mikrovale, të pajisur me një furrë që arrin temperatura rreth 1000 gradë Celsius.
Qëllimi i këtij projekti inovativ është prodhimi i materialeve për gjysmëpërçues, të cilët përdoren në teknologji të avancuara si rrjetet 5G, automjetet elektrike, aviacioni dhe infrastruktura e komunikimit, shkruan A2. Sipas drejtuesit të kompanisë, Josh Western, kushtet e hapësirës, mungesa e gravitetit dhe vakumi, lejojnë krijimin e gjysmëpërçuesve deri në 4000 herë më të pastër se ata të prodhuar në Tokë.

Mini-fabrika u lëshua në hapësirë gjatë verës me një raketë SpaceX dhe që prej asaj kohe po testohet nga qendra e kontrollit në Kardif. Një nga momentet më të rëndësishme ishte marrja e imazheve të plazmës që ndriçonte brenda furrës, provë kyçe për funksionimin e sistemit.
Hapi i radhës për Space Forge është ndërtimi i një fabrike më të madhe hapësinore, e aftë të prodhojë materiale për mijëra mikroçipa, si dhe testimi i një mburoje termike që do të mundësojë kthimin e sigurt të produkteve në Tokë. Ekspertët vlerësojnë se prodhimi në hapësirë mund të hapë një epokë të re për industrinë globale. (A2 Televizion)