Një satelit revolucionar, fryt i bashkëpunimit të parë të këtij lloji midis SHBA-së dhe Indisë, pritet të niset në hapësirë këtë javë dhe ka për qëllim të zbulojë ndryshimet më të vogla në sipërfaqen e Tokës. Misioni i përbashkët quhet NASA-ISRO Synthetic Aperture Radar, ose NISAR, dhe përfaqëson një nga përpjekjet më ambicioze globale për të monitoruar Tokën në kohë reale, shkruan A2 CNN.
Sateliti NISAR, i cili do të ngrihet në orbitë nga Qendra Hapësinore Satish Dhawan në bregun juglindor të Indisë, do të jetë i pajisur me dy radarë të teknologjisë së avancuar, një i zhvilluar nga NASA dhe një tjetër nga Organizata Indiane e Kërkimeve Hapësinore (ISRO). Nisja do të realizohet me një raketë ISRO GSLV-F16 në orën 8:10 të mëngjesit me orën e SHBA-së Lindore (5:40 pasdite me orën e Indisë), ndërsa transmetimi do të fillojë një orë më parë në NASA+ dhe në kanalin zyrtar të agjencisë në YouTube.
Pasi të vendoset në orbitë, NISAR do të rrotullohet rreth Tokës 14 herë në ditë, duke mbuluar thuajse të gjithë sipërfaqen tokësore dhe akullnajat çdo 12 ditë. Me ndihmën e radarëve të tij, sateliti do të arrijë të vërejë ndryshime në sipërfaqe deri në fraksione milimetrash, të padukshme me sy të lirë, por me pasoja të mëdha për jetën në planet.
NISAR do të ofrojë të dhëna të sakta për të kuptuar më mirë tërmetet, rrëshqitjet e dheut dhe lëvizjet e akullnajave, ndërkohë që do të përmirësojë monitorimin e pyjeve, moçaleve, fushave bujqësore dhe ngricës së përhershme (permafrost). Informacioni i përftuar do të jetë i qasshëm publikisht në kohë reale, çka do të ndihmojë në përgatitjen dhe përgjigjen ndaj fatkeqësive natyrore si uraganet, vullkanet, përmbytjet dhe zjarret.
“Ndonëse nuk e ndjejmë gjithmonë, sipërfaqja e Tokës është në lëvizje të vazhdueshme”, tha Nicky Fox nga NASA. “Por këto ndryshime janë aq të vogla, saqë sot janë praktikisht të padukshme. NISAR do ta ndryshojë këtë”.
Si funksionon teknologjia?
NISAR është një satelit me përmasat e një makine të vogël dhe përmban dy sisteme radarësh me gjatësi vale të ndryshme: Radar L-band (25 cm valë), ndërtuar nga NASA dhe Radar S-band (10 cm valë), dërtuar nga ISRO.
L-band shërben për të vëzhguar struktura më të mëdha si pemët dhe shkëmbinjtë nën pyll, ndërsa S-band është më i ndjeshëm ndaj elementëve të vegjël si gjethet apo struktura sipërfaqësore të tokës. Bashkë, këto sisteme krijojnë një pamje të pashembullt të Tokës, edhe përmes reve, gjatë natës dhe në kushte atmosferike të pafavorshme.
Ky sistem mund të zbulojë lëvizjet e dheut para shpërthimeve vullkanike, të analizojë lagështinë në tokë, të monitorojë ndryshime që mund të ndikojnë në digat apo strukturat mbrojtëse, madje të ndihmojë në parashikimin e tërmeteve.
Misioni NISAR është fryt i një marrëveshjeje mes NASA-s dhe ISRO-s, të nënshkruar më 30 shtator 2014, si përgjigje ndaj një raporti të Akademisë Kombëtare të Shkencave në SHBA që theksonte nevojën për vëzhgim më të mirë të Tokës. (A2 Televizion)