Makina që lëviz me kokë poshtë

Nga A2 CNN
15 Korrik 2025, 12:05 | Teknologji

Prodhuesi britanik i hipermakinave elektrike, McMurtry Automotive, tërhoqi vëmendjen e publikut gjatë Festivalit të Shpejtësisë në Goodwood (10–13 korrik), ku ekspozoi modelin Spéirling, një veturë që ka arritur të ecë edhe përmbys, duke sfiduar gravitetin.

Kjo makinë njëvendëshe është më e shpejta që ka përshkuar pistën e famshme të Goodwood dhe pistën e testimeve të Top Gear, duke lënë pas edhe një makinë Formula 1 Renault R24 të vitit 2004 me 3,1 sekonda diferencë, shkruan A2 CNN. “Tingëllon si avion kur kalon pranë, gjë që është unike për një makinë elektrike”, tha David Turton nga McMurtry. “Njerëzit nuk kuptonin që ishte elektrike. Thoshin: 'O Zot, çfarë ishte ajo? Ishte diçka e jashtëzakonshme’”.

Sekreti qëndron te sistemi “Downforce-on-Demand”, që përmes dy ventilatorëve që rrotullohen me 23,000 rpm, gjeneron 2000 kg forcë vertikale, dy herë më shumë se vetë pesha e makinës (rreth 1 ton). Kjo i mundëson asaj të përshpejtojë nga 0 në 100 km/h për më pak se 1,5 sekonda dhe të përballojë kthesat me forcë mbi 3G, çka e bën më të afërt me një avion luftarak sesa me një makinë gare.

Ndryshe nga aerodinamika tradicionale, Spéirling krijon ngjitje që nga vendi, pa pasur nevojë për shpejtësi paraprake. Në prill 2025, në selinë e McMurtry në Gloucestershire, bashkëthemeluesi Thomas Yates ngjiti makinën mbi një platformë të ndërtuar enkas, e cila u rrotullua 180 gradë, duke e kthyer përmbys. Falë sistemit të ventilatorëve, makina qëndroi e ngjitur në sipërfaqe dhe Yates e drejtoi përmbys, pa u shkëputur nga “tavani”.

Në Goodwood, makina ishte e vendosur në një strukturë demonstrimi, e ngjashme me atë të performancës përmbys në prill, por me masa shtesë sigurie për publikun.

Sipas Turton, kjo teknologji nuk kufizohet vetëm në garat automobilistike. “Forca vertikale funksionon në çdo drejtim. E kam drejtuar makinën dhe edhe kur kam humbur kontrollin, mjaftonte të shtypja frenat dhe ngjitja nuk zhdukej. Kjo ndihmon të ndalosh përpara se të dalësh nga pista. Ka potencial të jashtëzakonshëm për sigurinë e drejtuesit dhe reduktimin e distancës së frenimit, si në pista ashtu edhe në rrugë të zakonshme”, tha ai.

Disa prodhues të mëdhenj makinash kanë shprehur interes për teknologjinë e tyre me ventilatorë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos