
Rusty Halo dhe NOAPOLOGY, në skenën e TRocks Festival në Parkun Olimpik “Feti Borova”, ishin më 10 tetor dy aktet kryesore të ditës më të ngjeshur të Javës Kulturore Britaniko-Ukrainase, me artistë nga Mbretëria e Bashkuar, Ukraina dhe Shqipëria në disa skena të Tiranës njëkohësisht.
Artistja uellsiano-ukrainase NØELLE hapi ditën me një workshop dhe performancën digjitale “Redefine” në Vila 31, ndërsa nata vazhdoi me “Tirana Underground”, me DJ-in britanik Sam Divine dhe DJ-in ukrainas Angelov.
Rusty Halo
Seti i Rusty Halo ishte më i spikaturi i mbrëmjes në TRocks, që tërhoqi audiencën më të madhe ndër eventet e javes Britanike, vemendja e cileve u mor nga vokalisti Mircha Ivens. Në stilin e frontmenëve të mëdhenj të rock-ut britanik, Ivens e zotëroi skenënlëvizje të pandalshme, kontakt i vazhdueshëm me publikun dhe një zë që nuk humbi forcë deri në fund. Ishte ai që e mbajti natën në këmbë.

Grupi e quan stilin e vet “alchemical rock” dhe në skenë emërtimi doli i saktë. Blues, hard rock dhe heavy metal shkriheshin pa kufij të dukshëm mes tyre. Baza ishte rock klasik, por tingulli kishte shtresa dhe nuanca që e largonin nga hard rocku i zakonshëm.
Një pjesë e madhe e këtyre shtresave dhe rafinimeve diverse në kompozim dhe performancë vjen nga kitaristi shqiptar Altin Gjoni. Kitara e Adriaan Kasteleijn, me karakterin e saj grunge dhe heavy, thuret me linjat melodike dhe ngjyrat blues e atmosferike të Gjonit. Ky kombinim i jep performancës hapësirë dhe një karakter që shkon përtej një bendi të zakonshëm rock.
Ryan Hale në bas dhe Gaetan Allet në bateri ishin shtylla ritmike e bendit gjatë mbrëmjes, gjë që u ndje fort nga publiku i TRocks.

Nga hapja heavy e natës me këngën e hapjes ‘Live a Little,’ seti kaloi menjëherë në një motiv kitare blues rock nga me ‘Black Star.’ E njejta logjike e përzjerjes së zhanreve ndoqi gjithë performancën.
Si pjesë e setit, spikati tributi për Black Sabbath me “Paranoid,” e cila solli peshën e metalit klasik në sallë, por grupi e luajti me tingullin e vet unik, duke i dhënë një karakter tjetër.
Mbyllja e setit me single-in e tyre të parë, “City Ballad”, ishte momenti më i fortë muzikor i natës. Kitara slide e Gjonit i përgjigjej zërit të Ivens frazë pas frazë, derisa të dyja u bënë një linjë e vetme. Kënga u ngrit gradualisht drejt finales, ku një performancë me performuese zjarri e çoi publikun në kulmin e mbrëmjes.

Një grup londinez në skenë në Tiranë, me një muzikant të talentuar shqiptar në formacion, është shembulli më konkret i lidhjes kulturore që kjo Javë synon të ndërtojë.
NOAPOLOGY
NOAPOLOGY erdhën nga Kievi me një histori që shumë grupe nuk e kanë. Nisën si grup covers në YouTube me emrin Sershen & Zaritskaya dhe arritën qindra milionë shikime, ndërsa pas fillimit të luftës në 2022 kaluan te muzika origjinale. Në TRocks sollën të dyja anët e kësaj historie.

Pjesa e parë e setit ishte me këngët e tyre, ku metali alternativ takohet me elemente elektronike dhe atmosferë kinematografike. Vokalistja Daria Zaritskaya dha pikërisht atë që pritej prej saj, një zë i fuqishëm dhe i sigurt, që e mbajti setin në qendër të vëmendjes. Pas saj, kitaristi Sergey Sershen dhe pjesa tjetër e grupit ishin solidë dhe të saktë nga fillimi në fund.
Në pjesën e dytë, grupi kaloi te versionet metal të këngëve të njohura si ‘Whole Lotta Love,’ dhe ‘Separate Ways’, ato që i bënë të famshëm në mbarë botën. Publiku i njohu menjëherë dhe salla u ngrit në këmbë, duke kënduar bashkë me Darian.
Rock United

Rusty Halo dhe NOAPOLOGY erdhën në Javën Kulturore si grupe britanike dhe ukrainase me ndjekës ndërkombëtarë. Në TRocks treguan se shkëmbimi kulturor ka më shumë jetë kur ndodh live, para publikut, dhe se rock-u mbetet një gjuhë që e kupton kushdo.
‘Rock United’ ne TRocks u mundësua nga mbëshetetja e Ambasadës Britanike, British Council, Ambasadës se Ukrainës si dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve.
(A2 Televizion)