Punon me hidrogjen, jahti sekret i Bill Gates del në shitje, kushton 645 milionë dollarë

Nga A2 CNN
31 Korrik 2025, 17:01 | Teknologji

Një nga jahtet më të jashtëzakonshme të ndërtuara ndonjëherë, i quajtur Breakthrough, pritet të dalë për herë të parë në shitje gjatë Monaco Yacht Show në muajin shtator, shkruan A2 CNN. Me një gjatësi prej 119 metrash dhe një çmim marramendës prej 645 milionë dollarësh ky superjaht luksoz është ndërtuar nga kompania holandeze Feadship dhe është projektuar për të qenë “mjeti lundrues më miqësor me mjedisin në botë”.

I ndërtuar me teknologjinë më të fundit dhe i pajisur tërësisht me sistem lëvizës me hidrogjen të lëngshëm dhe qeliza karburanti të gjeneratës së re, Breakthrough është promovuar si jahti i parë “net zero”, që nuk lëshon ndotje në atmosferë. Hidrogjeni ruhet në bord në temperatura -253°C dhe energjia që prodhohet prej tij ngroh pishinat, dhomat me avull, dhe madje edhe peshqirët në dhomat e miqve.

Jahti ka kapacitet për të akomoduar 30 të ftuar në 15 kabina, të shërbyer nga një ekuipazh prej 43 anëtarësh. Zona e pronarit është ndërtuar si një rezidencë private katërkatëshe, e pajisur me dy dhoma gjumi, dy banja, një palestër, dy zyra me oxhakë, një bibliotekë dhe një ashensor personal. Brenda tij gjenden gjithashtu një kinema, disa vaskë me hidromasazh, një pishinë “infinity”, një fushë basketbolli dhe madje edhe një spital privat.

Punon me hidrogjen, jahti sekret i Bill Gates del në shitje, kushton 645

Pjesa e brendshme është realizuar me materiale luksoze si lëkurë, mermer dhe dru lisi të zbardhur, për të krijuar një atmosferë elegante bregdetare. Ballkonet janë të fshehura dhe dalin automatikisht me shtypjen e një butoni, ndërsa pesë kuvertat mbi ujë dhe dy nën të ofrojnë hapësira të pafundme për relaks dhe argëtim.

Edhe pse shpesh është përfolur si pronë e miliarderit Bill Gates, i cili e kishte porositur jahtin në vitin 2021, raportohet se themeluesi i Microsoft nuk ka hipur kurrë në bord. Megjithatë, lidhja e tij me projektin “821”, siç është quajtur gjatë ndërtimit, është përmendur gjerësisht në media. Sipas raportimeve më të fundit, jahti pritet të blihet nga miliarderi kanadez Patrick Dovigi, CEO i kompanisë mjedisore Green For Life Environmental. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos