Robotët ngjiten në ring, zhvillohet kampionati i parë botëror i kikboksit

Nga A2 CNN
26 Maj 2025, 10:27 | Teknologji

Robotët ngjiten në ring, zhvillohet kampionati i parë

Shkëmbejnë grushte e shkelma, rrëzohen, ngrihen dhe grushtojnë përsëri. Nuk bëhet fjalë për njerëz, por për robotë, të cilët janë ngjitur në ring për një Kampionat Botëror kikboksi, raporton A2 CNN.

Qyteti Hangzhou në Kinën lindore ishte mikpritës i garës së parë botërore të robotëve luftarakë humanoidë, një ngjarje që shënoi një moment historik në teknologjinë robotike. Gara, e titulluar Konkursi Botëror i Robotëve CMG: Arena e Luftës Mech, u zhvillua të dielën dhe u mbyll me fitoren e robotit “AI Strategist”, i komanduar nga Lu Xin.

Secila ndeshje përbëhej nga tre raunde, secili me kohëzgjatje dy minuta. Pikët jepeshin për goditje të sakta në zona të caktuara: 1 pikë për goditje me krahë, 3 pikë për goditje me këmbë, dhe penalitete deri në 10 pikë për rënie apo pamundësi për t’u ngritur brenda 8 sekondave.

Robotët ngjiten në ring, zhvillohet kampionati i parë

Finalja u zhvillua mes “AI Strategist” dhe “Energy Guardian”. Me nokaut në të tre raundet, Lu Xin dhe roboti i tij triumfuan, duke fituar titullin kampion. “Sot është një moment historik. Kjo garë është vetëm fillimi”, tha Lu, duke theksuar potencialin e pakufishëm të robotikës në të ardhmen.

Spektatorët dhe ekspertët mbetën të mahnitur nga lëvizjet dinamike të robotëve si goditje me bërryl, grushte të kombinuara dhe sulme me gjunjë. Studiuesi Li Gaofeng deklaroi se hapi i radhës është zhvillimi i rrjeteve nervore që do t’u mundësojnë robotëve të veprojnë në mënyrë të pavarur.

Ky konkurs është pjesë e serisë së aktiviteteve të robotikës nga CMG, që do të përfshijë edhe futboll e basketboll mes robotëve, duke promovuar shkencën, kulturën dhe turizmin në mënyrë tërheqëse dhe edukative. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos