“Rrezik avionët për Gjermani e Francë”, astrofizikani tregon vendet e rrezikuara në rast stuhie diellore

Nga A2 CNN
27 Janar 2026, 09:31 | Teknologji

Një stuhi diellore e gradës katër nga pesë, e konsideruar ndër më të fuqishmet, po ndikon aktualisht sistemin tonë diellor, duke ngritur shqetësime për efektet e saj në Tokë. I ftuar në emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN, studiuesi Erald Buneci shpjegoi se nuk bëhet fjalë për mot atmosferik, por për atë që quhet “moti i sistemit diellor”, i shkaktuar nga shpërthimet e fuqishme të Diellit.

Sipas Bunecit, Dielli përbëhet nga plazmë magnetike dhe sillet si një “magnet i lëngshëm”. Lëvizjet e pabarabarta të tij krijojnë tensione magnetike, të cilat, kur arrijnë kulmin, çlirohen në formën e shpërthimeve të masës diellore. Këto shpërthime lëshojnë grimca me energji shumë të lartë që, nëse Toka ndodhet në drejtimin e tyre, mund të ndikojnë satelitët, komunikimet radio, sistemet elektronike dhe fluturimet ajrore, veçanërisht pranë poleve.

I pyetur se cilat janë vendet më të rrezikuara nga stuhitë diellore, Buneci tha se përqendrimi më i madh është sa më shumë i afrohesh poleve. “Përqendrohet më shumë fusha magnetike dhe i shtyn drejt poleve. Kështu, shtetet, domethënë nga rrethi polar i sipërm, kur shkojmë për shembull në veri, Gjermani, Francë, e sipër, fillon dhe bëhet pak më e rrezikshme. Mund të jenë ndoshta maksimumi shkëputje të vogla në komunikim, ose në biseda, ose pajisjet që komunikojnë me njëra-tjetrën. Mund të ketë ndërhyrje të vogla, si shkëputje. Jo dalje apo si nëpër filma që ndodh ndonjë gjë e madhe, por thjesht gjëra të vogla në komunikime ose në dhënie e marrje komandash, gjëra kështu të vogla, domethënë ndoshta edhe të papërfillshme”, tha ai. “Por rreziku duhet të merret parasysh dhe duhet të kemi kujdes. Kjo gjë dihet dhe për këtë arsye merren masa. Trafiku ajror është i rregulluar në të gjithë botën”.

Buneci theksoi se, megjithëse dëmet janë zakonisht të kufizuara, monitorimi dhe masat parandaluese janë thelbësore në raste ekstreme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos