U testua fillimisht 101 vjet më parë, a është ky avioni i së ardhmes?

Nga A2 CNN
4 Korrik 2025, 19:26 | Teknologji

Një shekull pas fluturimit të parë të një avioni me trup dhe krah të bashkuar, një përpjekje që përfundoi asokohe me përplasje, ky koncept revolucionar po rikthehet fuqishëm në skenën e aviacionit. Kompani si Airbus, Boeing, Bombardier dhe start-upe të shumta janë duke eksperimentuar me dizajnin aerodinamik të njohur si “blended-wing body” (BËB), me synimin për të krijuar avionë më efikas në konsum karburanti, më të gjerë dhe më të lirë në mirëmbajtje.

Një nga kompanitë që po udhëheq këtë revolucion është Natilus, një startup me qendër në San Diego, i themeluar në vitin 2016 nga inxhinierët Aleksey Matyushev dhe Anatoly Starikov, shkruan A2 CNN. Avioni i tyre, i quajtur “Horizon”, ka një kapacitet deri në 196 pasagjerë dhe një rreze fluturimi prej 3500 miljesh detare. Ndryshe nga dizajnet tradicionale me “tub dhe krah”, trupi dhe krahët e këtij avioni janë të bashkuar në mënyrë të rrjedhshme, duke e bërë avionin më aerodinamik dhe duke ulur ndjeshëm konsumimin e karburantit.

Në krahasim me Boeing 737-800, i cili ka një kapacitet të ngjashëm dhe një rreze fluturimi të ngjashme, Horizon ofron një avantazh të madh në efikasitetin operativ. Natilus pretendon se ky avion do të jetë 25% më i lehtë dhe do të reduktojë kostot e operimit me 50%, ndërkohë që mund të funksionojë në infrastrukturën ekzistuese të aeroporteve dhe me motorë të zakonshëm.

U testua fillimisht 101 vjet më parë, a është ky avioni i

Dizajni i brendshëm i avionit është gjithashtu novator. Me tre korridore dhe një strukturë të gjerë, ai ofron më shumë hapësirë për pasagjerët, mundësi për video-konferenca në ajër mundësi që pasagjerët të ulen përballë njëri-tjetrit gjatë fluturimeve të gjata. Kjo është një përvojë që nuk mund të ofrohet nga avionët tubularë.

Por përfitimet nuk ndalen këtu. Falë formës së tij, avioni pritet të jetë më i qetë në fluturim, pasi do të përdorë motorë më të vegjël, të pozicionuar mbi trupin e avionit, duke ulur zhurmën për pasagjerët. Sipas Natilus, këto avionë do të jenë 40% më të qetë se ata tradicionalë.

Megjithatë, ideja ka plot sfida. Mungesa e një bishti tradicional dhe forma jo-cilindrike e trupit ngre pikëpyetje mbi stabilitetin dhe presionin e kabinës. Gjithashtu, numri i kufizuar i dritareve dhe daljet e emergjencës mund të krijojnë probleme në rast evakuimi. Pavarësisht pengesave teknike dhe rregullatore, ekspertët janë optimistë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos