Lava, kjo masë përvëluese që shpërthen nga vullkanet dhe shkatërron gjithçka në rrugën e saj, është parë gjithmonë si një forcë e pamëshirshme e natyrës. Por një studio arkitekturore nga Islanda, “S.AP Arkitektar”, po propozon një qasje krejt të re: ta shndërrojë lavën nga kërcënim, në burim të qëndrueshëm ndërtimi.
Kjo ide e guximshme, e titulluar “Lavaforming”, është prezantuar në Bienalen e Arkitekturës në Venecia dhe parashikon që në të ardhmen e afërt, ndoshta në vitin 2150, teknologjia do të mundësojë ndërtimin e qyteteve të tëra duke përdorur lavën në formën e saj të shkrirë.
Studioja është themeluar nga Arnhildur Pálmadóttir dhe drejtohet bashkë me të birin, Arnar Skarphéðinsson. Ata kanë filluar hulumtimet pas shpërthimit të fuqishëm vullkanik në Holuhraun në vitin 2014, kur Pálmadóttir kuptoi potencialin e jashtëzakonshëm të sasisë së lavës që dilte nga toka. “Mendova: Mund të ndërtonim një qytet të tërë për një javë me kaq shumë material”, tha ajo.
Në vend që të mbështetemi te betoni, një nga ndotësit më të mëdhenj të mjedisit për shkak të prodhimit të çimentos, “Lavaforming” ofron lavën si alternativë të qëndrueshme. Në varësi të mënyrës së ftohjes, lava mund të shndërrohet në material të fortë si xhami, gurë të kristalizuar për shtylla ose në material izolues.
Tre mënyra për të ndërtuar me lavë
Kanale drejtimi: Hapja e rrjeteve të përcaktuara të kanaleve në rrëzë të vullkaneve aktive, për të kanalizuar lavën në mënyrë që ajo të ftohet dhe të formojë mure apo themele natyrore për ndërtimet. Këto kanale mund të dërgojnë lavën edhe në një fabrikë që e shndërron atë në tulla për përdorim të mëvonshëm.
Printimi 3D: Një vizion futurist ku robotë të avancuar do të ecin mbi terrenet e lavës së sapodalë për të “printuar” elementë ndërtimi. Kjo teknologji nuk ekziston ende, por ideja është në zhvillim.
Përdorimi i magmës nëntokësore: Në këtë metodë, magma nxirret dhe drejtohet në dhoma të ndërtuara posaçërisht, ku mund të ftohet për të krijuar elementë ndërtimorë të parafabrikuar. Kjo teknikë do të ishte e ngjashme me prodhimin e energjisë gjeotermale, një burim i rëndësishëm energjie në Islandë.
Realitet apo ëndërr e largët?
Megjithëse teknologjia për të realizuar këtë vizion nuk ekziston ende plotësisht, “S.AP Arkitektar” po bashkëpunon me shkencëtarë që kanë zhvilluar modele 3D për të simuluar rrjedhjet e lavës dhe po eksperimentojnë me shkrirjen dhe ftohjen e gurëve vullkanikë për të krijuar prototipe ndërtimi. Në thelb, ideja mbetet e lidhur me vendet me aktivitet të lartë vullkanik si Islanda, Hawaii dhe Ishujt Kanarie, ku lava është më e ngadaltë dhe më e lehtë për t’u kontrolluar.
Guri vullkanik ka qenë për shekuj me radhë një material ndërtimi, nga fortesat mesjetare në Jordani, Francë e Indi, deri te struktura moderne në Meksikë dhe Kinë. Por vizioni i “S.AP Arkitektar” është unik: të përdorësh lavën si material i vetëm ndërtimi, duke kontrolluar ftohjen e saj për të prodhuar që nga tulla e deri te xhama izolues, pa ndërmjetësime industriale.
Inspirimi i tyre buron nga vetë natyra, shpella të formuara nga flluska lave që janë shndërruar në shtëpi, si ajo e arkitektit César Manrique në Lanzarote në vitin 1968.
Një sfidë për arkitekturën e së ardhmes
Për momentin, “Lavaforming” mbetet një eksperiment konceptual dhe kërkon mbështetje teknologjike, politike dhe financiare për t’u bërë realitet. Por ideja po fiton terren si një mënyrë për të reflektuar mbi krizën klimatike dhe rolin që arkitektura duhet të luajë në përballjen me të.
“Si mund t’i ndryshojmë sistemet për t’iu përgjigjur emergjencës globale klimatike?”, thotë Pálmadóttir. “Si duhet të përgjigjet arkitektura ndaj kësaj? Ne shpresojmë që projekte si ky të frymëzojnë vende të tjera”. Qytetet prej lave mund të duken si një ide nga e ardhmja, por ndoshta pikërisht aty ndodhet zgjidhja për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme. (A2 Televizion)