Adiola Lakra, 26-vjeçarja e dyshuar si bashkëpunëtore në ekzekutimin e Hekuran Billës mbrëmjen e 11 qershorit në Tiranë, mohoi të kishte lidhje me ngjarjen.
Përmes avokatit, në përballjen e saj të parë me gjykatën, e reja zeroi çdo dyshim për përdorimin e saj si karrem në vrasjen e Billës, me të cilin kishte pasur një raport. Pretendimet e 26-vjeçares nuk bindën gjyqtarin Lazer Sallaku, i cili vendosi lënien e saj në qeli si të dyshuar për bashkëpunim në një vrasje për hakmarrje.
Në dëshminë e dhënë për Oficerët e Policisë Gjyqësore, Adiola Lakra ka rrëfyer se ishte njohur me Sebastian Malin, të arrestuarin tjetër për ngjarjen para dy vitesh dhe kishte krijuar një marrëdhënie me të. Para se të ndaheshin, përmes llogarisë së saj në Instagram, Mali i kishte bërë një ftesë Hekuran Billës, por nuk kishte dijeni për hasmërinë mes tyre. Më vonë, ajo kishte komunikuar me Billën.
Në nëntor 2019 kishte krijuar një lidhje dhe, sipas saj, kur ishte në Shqipëri takohej me të në një bar pranë një qendre tregtare tek Komuna e Parisit. Ajo ka treguar se ditën e ngjarjes ishte telefonuar nga Billa dhe teksa po shkonte ta takonte kishte mësuar se aty kishte ndodhur një vrasje.
Adiola Lakra është personi i tretë që arrestohet për vrasjen e Billës, pas Viktor Markut e Sebastian Malit, dajë e nip. Sipas prokurorisë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për hakmarrje, pasi në vitin 2006 Billa ka vrarë në Angli vëllain e Viktor Markut. (A2 Televizion)