Arrestimi i efektivit të RENEA-s, PD: Aleanca e Ramës me krimin ka degraduar policinë

Nga A2 CNN
21 Gusht 2021, 14:59 | Politikë
Arrestimi i efektivit të RENEA-s, PD: Aleanca e Ramës me krimin ka

Arrestimi i një efektivi të Reneas për trafikim të lëndëve narkotike, sipas Partisë Demokratike është tjetër provë se “reparti elitë i Policisë së Shtetit është infiltruar nga narkotrafikantët”.

Deputeti i zgjedhur, Enkelejd Alibeaj, përmes një reagimi, thekson se brenda pak kohësh, 2 efektivë dhe 1 nënkomisar të këtij reparti janë arrestuar për organizim dhe trafik kokaine, ndërsa raportohet se 4 të tjerë ruajnë shtëpitë e mafiozëve me miliona euro, shkruan ai.

Për Partinë Demokratike kjo nuk është rastësi, por produkt i aleancës së Edi Ramës me krimin, një model që ka prodhuar degradim të organizatës së Policisë dhe ka braktisur policët që shërbejnë me ndershmëri në mbrojtje të rendit dhe sigurisë, pohojnë demokratët.

“RENEA, reparti elitë i Policisë së Shtetit është infiltruar nga narkotrafikantët. 2 efektivë dhe 1 NënKomisar të këtij reparti janë arrestuar në pak kohë për organizim dhe trafik kokaine. Raportohet se 4 të tjerë ruajnë shtëpitë e mafiozëve me miliona euro.

Kjo nuk është rastësi, por produkt i aleancës së Edi Ramës me krimin, një model që ka prodhuar degradim të organizatës së Policisë dhe ka braktisur policët që shërbejnë me ndershmëri në mbrojtje të rendit dhe sigurisë.

Përgjimet e antimafias italiane dëshmojnë për implikim masiv të kupolës së Policisë së Shtetit në trafikun e kanabisit. Tashmë, shumica e shqiptarëve e di që teksa vendi kthehej në Kolumbinë e Europës me urdhër politik për të financuar shkatërrimin e zgjedhjeve, forcat e policisë përdoreshin si roje të parcelave me hashash dhe si punëtorë krahu për të ngarkuar skafet me lëndë narkotike.

Me bekimin e Edi Ramës krimi ka shtrirë duart mbi policinë, sepse ato janë të njëjtat duar që i shërbejnë për të vjedhur zgjedhjet dhe për të mbajtur me çdo kosto pushtetin.

Për shkak të këtij pushteti ilegjitim që ka kriminalizuar politikën, institucionet dhe policinë, qytetarët janë të pasigurt për të ardhmen e familjeve të tyre, të pasigurt për rendin dhe sigurinë.
Qytetarët nuk mund të ruhen edhe nga Krimi, edhe nga Policia që paguajnë nga taksat e tyre.”, shkruan Alibeaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos