Pallati i shembur në Vlorë, familjarët e Bashës i kërkojnë lekët Ramës: Ende s’jemi paguar

Nga A2 CNN
19 Gusht 2021, 13:03 | Politikë
Pallati i shembur në Vlorë, familjarët e Bashës i

Qeveria shqiptare ende nuk ka paguar detyrimet ndaj banorëve të pallatit të shembur në Vlorë, mes të cilëve janë edhe familjarët e Lulzim Bashës. Tashmë që kanë kaluar 3 vjet nga vendimi i gjykatës, A2 CNN zbardh korrespondencën ndërmjet avokaturës së shtetit dhe përfaqësuesve ligjorë të pronarëve, të cilët insistojnë të marrin paratë e fituara në gjyq.

Tre vjet pasi kanë fituar gjyqin në Strasburg, familjarët e Lulzim Bashës vijojnë të kërkojnë paratë nga qeveria shqiptare për pallatin e shembur në Vlorë gjatë qeverisë Rama1.

A2 CNN zbardh korrespondencën ndërmjet avokaturës së shtetit dhe përfaqësuesve ligjore të pronarëve, mes të cilëve edhe familjarët e Lulzim Bashës, që i janë drejtuar Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut ku kërkojnë ekzekutimin e vendimit që bashkë me kamatvonesat ka kapur vlerën e rreth 14.5mln eurove.

Avokatët e pronarëve: Deri më sot nuk është bërë asnjë pagesë nga qeveria shqiptare. Borxhi i qeverisë sipas vendimit të Gjykatës është 13.45 milionë euro plus interesin prej 1.13 milionë euro të cilat mund të përballohen nga buxheti i shtetit pa shkaktuar ndonjë krizë në financat shqiptare.

Në letërkëmbimin drejtuar gjykatës, Avokatura e Shtetit duket se ka si argument kryesor krizën ekonomike që përfshiu vendin pas nëntorit të vitit 2019, për shkak të tërmetit dhe pandemisë.

Avokatura e Shtetit: Këto dy kriza të njëpasnjëshme, një nga tërmeti shkatërrues dhe tjetra nga kriza globale e pandemisë me të cilën po përballemi të gjithë, kanë dhënë pasoja kritike, sociale dhe ekonomike, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë planetin.

Përfaqësuesit e pronarëve i kanë kujtuar gjykatës ndërkombëtare se pavarësisht fatkeqësive natyrore, Shqipëria është ndihmuar nga ndërkombëtarët dhe fondet sipas tyre nuk mungojnë.

Avokatët e pronarëve: Shqipëria ka marrë dhe vazhdon të marrë në mënyrë të konsiderueshme ndihmë financiare nga bashkësia ndërkombëtare. Për shembull, një paketë prej 1,15 miliardë euro u vunë në dispozicion për procesin e rindërtimit pas tërmetit.

Pavarësisht zvarritjes, avokatura e shtetit shpreh angazhimin për kompensimin e të gjitha detyrimeve që ka akumuluar ndër vite nga gjyqet e humbura në Strasburg. Kompensimi për shembjen e pallatit në Vlorë u përfol gjerësisht në opinion si një nga pikat e fshehta të marrëveshjes politike Rama-Basha në vitin 2017, kur çështja ishte ende në gjykim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos