Ditët e Granit Xhakës tek Arsenal duket se janë të numëruara. Nga kapiten i ekipit, mesfushori me origjinë shqiptare nuk është më në planet e klubit londinez.
Madje sipas “The Mirror”, drejtuesit po mendojnë ta kthejnë mbrapsht te Borussia Monchengladbach që në janar, në përpjekje për të marrë një tjetër lojtar të Zvicrës, Denis Zakaria, i cili luan me skuadrën gjermane.

Xhaka nuk ka luajtur më për Arsenal që prej 27 tetorit, kur ofendoi tifozët pasi e vërshëllyen. Trajneri Unai Emery po mendon të ofrojë Xhakën për të marrë Zakarian, i cili këtë sezon ka shkëlqyer për klubin gjerman, prej nga ku Xhaka u largua në vitin 2016 për rreth 30 milionë paund.
Zakaria luan në një përfaqësuese me Xhakën. 22-vjeçari ka zhvilluar deri tani 22 ndeshje, ndërsa Xhaka 78. Rikthimi në Gjermani mund t’i përshtatet Xhakës, edhe pse për të janë interesuar Milan dhe Newcastle. (A2 Televizion)