Tërmet në botën e teknologjisë. Aksionet në bursë të një prej kompanive më të rëndësishme amerikane Nvidia ranë në pikat këtë të hënë pas njoftimit për një hetim të brendshëm që synon të përcaktojë nëse drejtuesi ekzekutiv Jensen Huang është shënjestruar nga përpjekjet e inteligjencës së huaj.
Hetimi erdhi pas një raporti mediatik se CEO i kompanisë që krijon çipa të inteligjencës artificiale kishte pasur marrëdhënie me një spiune kineze e cila ja kishte kaluar informacionet Pekinit.
Huang pranoi përpara punonjësve të Nvidia se kishte tradhëtuar bashkëshorten e tij duke thënë se nuk ka justifikim për atë që ka bërë. Megjithatë ai nuk zbuloi detaje të mëtejshme. Teksa konfirmoi nisjen e hetimeve, kompania tha se nuk ka arsye të besohet se sekretet e Nvidias apo të sigurisë kombëtare ishin të kompromentuara.
Megjithatë shtoi se do të shqyrtonte të gjithë informacioni në dispozicion. Lidhur me rastin ka reaguar edhe presidenti amerikan Donald Trump i cili deklaroi se Huang është një person i respektuar. “Di vetëm që është një njeri shumë i mirë, por asnjëherë nuk e di se çfarë po ndodh. Jam i sigurt dhe shpresoj që gjithçka të jetë në rregull. Ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme”.
Ishte New York Times që raportoi muajin e kaluar se Huang kishte pasur një marrëdhënie me Alice Huang, një ish-drejtuese në kompaninë me bazë në Singapore Megaspeed. Kjo kompani e cila blen çipa nga Nvidia është vënë në shënjestër të hetimeve nga autoritetet amerikane nën dyshimet se ka ndihmuar Pekinin të fitojë akses në çip avancuar të inteligjencës. Pas publikimit të lajmit, aksionet e Nvidias ranë me 6% e megjithatë analistët nuk besojnë se Huang do të largohet nga drejtimi i kompanisë pasi roli i tij është i pazëvëndësueshëm. (A2 Televizion)