Asi nën mëngë kundër Laçit, Vllaznia prezanton Josën

Nga A2 CNN
16 Maj 2022, 17:10 | Futboll
Asi nën mëngë kundër Laçit, Vllaznia prezanton

Vetëm një muaj më parë, Mirel Josa drejtonte Laçin, duke regjistruar edhe një seri me rezultate pozitive. Trajneri me eksperiencë mori zyrtarisht drejtimin e Vllaznisë, si kundërlëvizja më e rëndësishme ndaj Laçit, në finalen e Kupës së Shqipërisë, më 31 maj.

“Laçin e gjeta të ndërtuar, por kam punuar për atë skuadër. Më duket interesant fakti që tani jam këtu dhe do të përballem me ta në finale. Do të bëjmë maksimumin për të arritur gjendjen më të mirë me lojtarët që kemi dhe të sigurojmë Europën”, tha Josa.

Zëvendësimi surprizë i Plorit në tre ndeshjet e fundit të sezonit nuk shërben vetëm për të fituar Kupën, por edhe për të nisur një cikël: “Nuk e prisja një ftesë në këto momente. Unë personalisht jam rikthyer gjithmonë në Shkodër, edhe si kundërshtar dhe e kam ndjerë ngrohtësinë e publikut shkodran, falë dy periudhave që kam drejtuar Vllazninë. Nuk ka trajner që vjen për tre ndeshje, por kemi një projekt afatgjatë me drejtuesit dhe shpresoj që gjërat të na shkojnë mirë”.

Në eksperiencën e tretë në krye të stolit të Vllaznisë, Mirel Josa do të debutojë të shtunën në “Loro Boriçi”, në sfidën e parafundit të kampionatit, ndaj Egnatias. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos