Asnjë viktimë nga koronavirusi në 24 orët e fundit në Kosovë, autoritet: Vaksinohuni, situata mund të përkeqësohet

Nga A2 CNN
15 Janar 2022, 15:14 | Kosova
Asnjë viktimë nga koronavirusi në 24 orët e fundit në

Në 24 orët e fundit në Kosovë fatmirësisht nuk është raportuar asnjë i vdekur me Covid-19 në Kosovë, ndërsa janë raportuar 658 qytetarë të prekur me sëmundjen infektuese, nga 6008 testime të kryera. Instituti i Shëndetit Publik ka raportuar gjithashtu se anë shëruar 160 qytetarë, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 158 532. Në total, në Kosovë janë të konfirmuar 3837 raste aktive me koronavirus.

Instituti i Shëndetit Publik ka bërë thirrje që qytetarët ta vaksinohen sa më shpejt, për shkak se varianti Omicron i koronavirusit është dominues në vend. Në një postim në Facebook, IKSHPK ka shkruar se situata epidemiologjike mund të përkeqësohet edhe më shumë ditët në vazhdim, andaj apelon qytetarët që të respektojnë masat anti-Covid.

“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së Covid-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mos grumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë”, thekson IKSHPK.

Për më tepër, IKSHPK thotë se është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19.

“Omicron është tejet ngjitës, andaj mbani maskat në çdo vend, mbani distancën mbi dy metra edhe në mjedise të hapura edhe po qe se të gjithë bartin maska! Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithëpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës nga mosha 12-vjeç”, përfundon komunikata.

Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, njoftoi të shtunën se në 24 orët e fundit janë dhënë 4685 doza të vaksinës, ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1 713 150 doza. Deri më sot 795 476 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë. Deri më sot janë dhënë 30 281 doza përforcuese dhe 2 162 doza të treta të vaksinës kundër Covid-19. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos