
Forcat e regjimit sirian filluan të mbërrijnë në veriun e vendit, disa orë pasi regjimi i Bashar Al Asad pranoi të ndihmojë milicitë kurde të vëna nën shënjestrën e ofensivës së Turqisë. Media shtetërore njoftoi se trupat qeveritare hynë të hënën në Ain Issa, 30 km në jug të kufirit turk.
Marrëveshja mes kurdëve dhe qeverisë siriane, shënoi një përmbysje të rëndësishme të aleancave, dhe erdhi pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të tërhequr të gjitha trupat nga veriu i Sirisë, duke i hapur rrugën sulmeve turke.
Forcat demokratike siriane të drejtuara nga kurdët, e konsideruar këtë si një thikë shpinë nga Uashingtoni, aleat në luftën kundër ISIS. Trupat siriane do të ndihmojnë Forcat Demokratike Siriane të zmbrapsin agresionin dhe të çlirojnë zonat nga ushtria turke dhe mercenarët e saj.
Turqia nisi ofensivën në rajon javën e kaluar, me qëllimin për të pastruar rajonin nga “ekstremistët kurdë”, siç u shpreh, e për të krijuar një zonë të sigurtë ku të dërgohen miliona refugjatët sirianë që gjenden përtej kufirit.
Dhjetëra civilë dhe luftëtarë janë vrarë nga të dyja palët e përfshira. Të dielën Shtetet e Bashkuara njoftuan se po përgatiteshin të evakuonin 1 mijë trupat e mbetur në veri të Sirisë.
Përmes një postimi në Twitter, presidenti amerikan Donald Trump tha se mos përfshirja në një konflikt sa për ndryshim, ishte diçka e mençur. Ofensiva ka nxitur reagime të ashpra ndërkombëtare, pasi forcat kurde mbeten aleatët me të ngushtë të perëndimit në betejën kundër ISIS.
Ekziston frika për një ringritje të këtij grupi, dhe rreth 800 familjarë të luftëtarëve të shtetit islamik raportohet të jenë arratisur nga një kamp në Ain Issa ku ka hyrë ushtria siriane. (A2 Televizion)