
Pas një takimi në Paris, Presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel i bënë thirrje Turqisë t’i japë fund sulmit ndaj kurdëve në Siri, duke paralajmëruar pasoja të rënda humanitare dhe nxitje për ISIS.
Macron i tha gazetarëve se kishin biseduar veçmas të dielën me Presidentin amerikan Donald Trump dhe atë të Turqisë, Erdogan për të dhënë një mesazh: “Dëshira jonë e përbashkët është që sulmi duhet të ndalojë”.
Merkel tha se kishte biseduar për rreth një orë me Erdogan. “Ne nuk mund ta pranojmë më këtë situatë kundër kurdëve. Duhet të gjendet absolutisht një tjetër zgjidhje”, ka thënë Merkel.
Që prej së mërkurës të javës që po mbyllet, veriu i Sirisë është përfshirë nga luftime të ashpra pas ofensivës së Ankarasë ndaj “Forcave Demokratike Siriane” të udhëhequr nga kurdët, të cilët i quan “terroristë”.
Ndërkohë, Trump, në një vendim të orëve të fundit, po bëhet gati të tërheqë nga veriu i Sirisë edhe trupat e fundit që i kanë mbetur nga rreziku i sulmeve të befasishme. Lajmin është raportuar nga “Reuters”, që citon sekretarin amerikan te Mbrojtjes, Mark Esper, i cili njofton tërheqjen e 1000 trupave të pozicionuar atje sa më shpejtë të jetë e mundur.
Trump u akuzua se braktisi një aleat besnik në luftën ndaj ISIS pasi urdhëroi tërheqjen e trupave amerikane nga rajoni kufitar.
Të paktën 60 civilë janë raportuar të vrarë nga vëzhguesit, ndërsa Kombet e Bashkuara kanë thënë se 130 mijë persona janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre. (A2 Televizion)