Fundi i motorëve me karburant duket se po afrohet gjithnjë e më shumë. Por para se kjo të ndodhë, Aston Martin ka vendosur t’i bëjë dhuratë botës një mjet fantastik me motor me djegie të brendshme që do t’i rezistojë historisë.
Motori 6,5 litërsh dhe 12 pistona, është një bishë e vërtetë. Jo më kot do të prodhohen vetëm 175 të tillë, ku 150 do të shkojnë për modelin Valkyrie për përdorim në rrugë, ndërsa 25 të tjerë do të përshtaten për t’u përdorur në versionin AMR Pro, vetëm për pistë.
Në këtë projekt, Aston Martin po bashkëpunon me skuderinë e Red Bull në Formula 1, ndërsa mjeti që do të dalë si fryt i këtij bashkëpunimi do të kushtojë nga 2,8 deri në 3,4 milionë euro.
Një “lodër” e vërtetë për miliarderët e dashuruar pas makinave të shpejta dhe të fuqishme. Në fakt, nuk është se mungojnë njerëz të tillë, pasi vetë Aston Martin ka konfirmuar se të gjitha makinat Valkyrie janë prenotuar dhe fatlumët do të fillojnë t’i marrin që prej vitit të ardhshëm. (A2 Televizion)