“Rama kopjoi fije për pe skenarin e Vuçiçit”, Këlliçi: Protesta e PD në mbështetje të studentëve

Nga A2 CNN
23 Tetor 2026, 22:33 | Politikë

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka kopjuar modelin e presidentit serb Aleksandar Vuçiç në përballjen me studentët protestues, duke e tejkaluar atë me shpërblimin prej 2,500 eurosh për punonjësit e policisë.

I ftuar në emisionin “Çdo Kënd” nga Merita Haklaj, Këlliçi deklaroi se protesta e thirrur nga Partia Demokratike për nesër do të jetë në mbështetje të studentëve dhe do të synojë t'u ofrojë atyre mbrojtje përballë forcave të policisë.

Sipas tij, PD do të vendosë një rezervuar të madh njerëzish në shërbim të mbrojtjes së studentëve, përballë asaj që e konsideroi si “forcë kafshërore" të policisë.

“Është në shërbim të asaj proteste, për të vënë një rezervuar të madh njerëzish në shërbim të mbrojtjes së studentëve, që ata studentë të jenë më të mbrojtur, qoftë me figura politike, qoftë me të rritur, qoftë me qytetarë që dalin për t’i suportuar, sepse janë të pambrojtur para forcave kafshërore të rendit, që sot shpërblehen me 2500 euro, çdo polic që rreh studentët. Deri tani Rama ka kopjuar skenarin e Vuçiçit fije për pe. Ofertën për 2500 euro s’ka guxuar ta bëjë asnjë njeri. PD ka qenë, është dhe do të jetë, në mbështetje 100 për qind të protestës. PD edhe forcave të vogla politike, që të gjitha bashkë janë 100 mijë vota, 1/5 e PD-së, dhe i thonë PD-së mos dil ti në protestë, PD asnjëherë s’u thotë mos dilni ju. Përkundrazi çdo njeriu i kemi bërë thirrje të dali në shesh, edhe socialistëve të ndershëm”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos