












Pas “pokerit” të golave të pësuar kundër Francës, Australia arriti më në fund të marrë tri pikët e parë në Botëror, duke mundur, me meritë, Tunizinë, në ndeshjen e parë të së dielës.
Golin e vetëm për australianët e shënoi Duke, në minutën e 23-të, duke i mbajtur kështu gjallë shpresat e skuadrës së tij për të kaluar grupin. Sulmuesi goditi bukur me kokë me shpinë nga porta, duke zënë në befasi portierin kundërshtar.
Tunizia nuk arriti të tregonte ndonjë formë të mirë, pati vetëm dy raste me Msakni dhe Drager për të barazuar, por në fund nuk ia doli dot. Në pjesën e dytë, në të 70’ “Kangurët” iu afruan golit të dytë me Leckie, por në fund rezultati mbeti i pandryshuar.
Tunizia është praktikisht jashtë Botërorit, pasi me vetëm një pikë dhe ndeshjen e fundit që duhet ta luajë kundër Francës, ka pak gjasa të kalojë më tej. Australia do të duhet të përballet me Danimarkën për të luftuar për vendin e dytë, duke qenë se Franca shihet favorite për të fituar grupin, e ndoshta edhe turneun. (A2 Televizion)