Goditja pranë zemrës mendohet se i mori jetën futbollistit 30-vjeçar

Nga Dea Kozma
4 Nëntor 2026, 12:29 | Futboll

Një përplasje në fushën e futbollit u kthye në një tragjedi të rëndë për futbollin spanjoll. Jesus de Miguel, sulmuesi 30-vjeçar i Tenerife-s, humbi jetën pas një dueli me portierin e Andorrës, Jesus Owono, ndërsa së fundmi janë zbuluar të tjera detaje nga kjo tragjedi.

Ngjarja ndodhi në minutën e 96-të të takimit. Portieri doli larg zonës së tij për të larguar një top të gjatë, por në përpjekje për të fituar duelin ajror goditi me gju në kraharor sulmuesin kundërshtar, shkruan A2.

Mendohet se goditja në zonën pranë zemrës mund të ketë shkaktuar një çrregullim të rëndë të ritmit kardiak, duke bërë që futbollisti të pësonte arrest kardiorespirator. Stafi mjekësor ndërhyri menjëherë dhe arriti t'i rikthente pulsin gjatë transportit drejt spitalit, por gjendja e tij u përkeqësua dhe në orën 08:00 të mëngjesit, një ditë më vonë, ai ndërroi jetë.

Ndërkohë, portieri Owono po përjeton një dramë të rëndë psikologjike. Ai ka mbyllur llogaritë në rrjetet sociale pas reagimeve të shumta, ndërsa raportohet se është thellësisht i tronditur nga ngjarja.

Një tragjedi që ka tronditur futbollin spanjoll, ndërsa hetimet pritet të hedhin dritë mbi të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos