Një avion iranian përfundoi në mes të autostradës pasi doli nga pista gjatë momentit të zbritjes. Fatmirësisht, asnjë nga 135 udhëtarët në bord nuk u dëmtuan nga incidenti në qytetin jugperëndimor Mahshahr. Avioni i Caspian Airlines ishte nisur nga Teherani.
Sipas televizionit shtetëror iranian, piloti e kreu me vonesë manovrat e zbritjes dhe kjo bëri që avioni të përfundonte jashtë piste, ndërsa nga pamjet u pa që rrotat nuk ishin plotësisht të dala, për të bërë të mundur zbritjen. Sipas një gazetari që ishte vetë në bord, rrota e pasme ishte thyer dhe kjo bëri që ai të rrëshqiste.
Ky është incidenti i radhës që ndodh me avionët në Iran, pas atij që u rrëzua gabimisht nga forcat ushtarake natën e sulmit ndaj bazave amerikane në Irak.
Në shkurt 2019, 66 persona humbën jetën në një aksident ndërsa dhjetëra vdiqën kur një avion i IranAir u shpërbë gjatë zbritjes në vitin 2011.
Bashkimi Europian u ka ndaluar ose kufizuar dy linjave ajrore iraniane përdorimin e hapësirës ajrore për arsye sigurie. Irani kishte planifikuar që të modernizonte flotën e avionëve pas heqjes së sanksioneve në vitin 2015, si pjesë e marrëveshjes me fuqitë botërore, por në vitin 2018 administrata Trump u hoqi licencën kompanive amerikane për t’i shitur avionë Iranit. (A2 Televizion)