
Avokati i Alqi Bllakos, Sokol Azizaj, thotë se Gjykata e Posaçme e Apelit nuk kishte asnjë argument për të rikthyer në qeli klientin e tij.
“Prokuroria, nuk e di për çfarë arsye, përkundër sjelljes së Alqi Bllakos, që ka lënë mandatin e deputetit, është paraqitur pranë organeve procedurale të hetimit, i ngelet të njëjtit pretendim që mund të prishë provat, kur hetimi i kësaj vepre penale, do ta quajmë kështu, sipas pretendimit të prokurorisë është duke përfunduar. Kështu që nuk mendoj se kishte arsye që Gjykata e Posaçme e Apelit të mbante qndrim ndryshe”, tha Azizaj pas vendimit të Apelit për të prishur vendimin e Shkallës së Parë që kishte vendosur të kalonte në “arrest shtëpie” ish-deputetin socialist.
“E vërteta është që në këtë vend, në këtë gjykatë, është kthyer një fabul popullore “hip se të vrava, zbrit se të vrava”. Për të njëjtat arsye, të njëjtat shkaqe, totalisht procedurale, Gjykata e Shkallës së Parë mbajti një qëndrim normal dhe Gjykata e Apelit mbajti një qëndrim të cilin nuk e ka arsyetuar akoma”.
Pala mbrojtëse pretendonte se lehtësimi i masës së sigurisë është i drejtë pasi SPAK-u ka ezauruar të gjitha veprimet hetimore dhe se ish-deputeti nuk ka rrezikshmëri shoqërore dhe nuk mund të dëmtojë provat, apo t’i shmanget hetimit. Ndër argumentet e paraqitura në seancën e 6 tetorit, kur u vendos edhe kalimi i Bllakos në “arrest shtëpie”, janë paraqitur edhe rrethanat familjare të ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, nevoja e tij si kryefamiljar në përkujdesjen e tre fëmijëve të mitur.
Bllako dorëzoi mandatin e deputetit, pak orë pasi SPAK i kërkoi Kuvendit autorizim për ta arrestuar. Sipas SPAK, në bashkëpunim me ish-ministrin Lefter Koka, Bllako ka falsifikuar dokumentin në lidhje me llojin e sipërfaqes së tokës ku u ndërtua inceneratori, duke mashtruar Këshillin e Ministrave, si edhe ka përfituar ryshfet për favorizim të paligjshëm të kompanisë koncensionare.
(A2 Televizion)