
Për mbarë botën myslimane, festa e Bajramit do të jetë e pazakontë këtë vit.
Për shkak të pandemisë, falja dhe ligjëratat do të mbahen në kushte dhe rregulla të tjera. Edhe në Shqipëri, besimtarët nuk do ta falin Bajramin në sheshe, por brenda në xhami dhe me një numër shumë të reduktuar personash.
Për herë të parë nuk do të lejohen fëmijët nën 12 vjeç dhe të moshuarit mbi 65 vjeç, ndërsa janë njoftuar rregullat për besimtarët pjesëmarrës.
Epiqendra e mesazheve këtë Bajram do të jetë xhamia e Pazarit. Myftiu i Tiranës tregon se për shkak të rrezikut të virusit edhe ceremonia e faljes do të jetë e reduktuar.
Për të shmangur rrezikun nga Covid-19 edhe festimet e Bajramit duhet të jenë ndryshe. Klerikët i bëjnë thirrje besimtarëve të festojnë në shtëpi duke shmangur vizitat tek të afërmit.
Të dielën e Bajramit nuk do të zhvillohen as vizitat e politikanëve në selinë e Komunitetit Mysliman. (A2 Televizion)