Balili, pikëpyetjet e dorëzimit në polici

Nga A2 CNN
16 Janar 2019, 18:53 | Kronikë
Balili, pikëpyetjet e dorëzimit në polici

Kelmend Balili, njeriu që sfidoi policinë e shtetit shqiptar për 2 vjet e 8 muaj, i dha fund arratisë në një formë të denjë për reputacionin që krijoi këto vite. i mbiquajtur nga mediat greke si Eskobari i Ballkanit dhe pasi nxori blof disa ministra, 47-vjeçari nga fshati Stjar i Delvinës, pati kushtet e tij për t’u dorëzuar.

I ftuar në studion e A2 Debat, Ismail Elezi, ish-drejtor i policisë së shtetit thotë se është e papranueshme mënyra se si u realizua vënia e tij para drejtësisë. “Ky është fundi i shtetit, që drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit të marrë me makinë private një person me rrezikshmëri të lartë, por të menaxhojë punën e policisë”, tha zoti Elezi.

Në media është përfolur për një sërë kushtesh që Kelmend Balili i kishte vendosur policisë për t’u dorëzuar, por gazetari Ferdinand Dervishi mendon se më tepër, dorëzimi i tij ka të bëjë me mbërritjen e dosjes së tij nga Greqia.

“Avokati i tij, i cili është edhe ish-prokuror i përgjithshëm i Shqipërisë, duhet ta ketë lexuar atë dosje dhe i ka thënë klientit që me provat e grumbulluara kundër tij ka gjasa që ai të lirohet, pasi nuk ka shumë prova”, tha Dervishi.

“Sa i përket momentit të arrestimit, duket se ai policia ka pranuar kushtet e vëna prej tij. Edhe drejtori i përgjithshëm nuk ka faj, sepse i është vënë kusht, që nuk i dorëzohet njeriu tjetër”, shtoi Dervishi. “Por impaktin më të madh ky zhvillim e ka te anëtarët e krimit të organizuar, gjysmë mafioz, pasi ata marrin një goditje shumë të madhe psikologjike, sepse shteti arrestoi atë që ishte në krye të listës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos