Koka: Spiropali është një nga njerëzit që duan ta shpëtojnë Partinë Socialiste

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2026, 21:41 | Politikë

Gazetari Bledian Koka deklaroi se Elisa Spiropali do e kishte shumë të thjeshtë të heshtte, por, sipas tij, ka vendosur të flasë pasi kërkon të shpëtojë Partinë Socialiste.

“Elisa Spiropali kishte dy rrugë, mund të rrinte rehat dhe mund të mos fliste fare. Bizneset do të vazhdonin njësoj, CV-në e ka të pasur dhe është e përmbushur. E thjeshta do ishte të mos fliste, të shijonte lekët, të shijonte CV-në dhe të shkonte në Vjenë e të shikonte ballo. Por, sot kemi njeri që po bën akte. Zonja Spiropali po tregon se kur del kundër Edi Ramës, Rama të turr institucionet tatimore apo SPAK-un. Unë mendoj që denoncimi që bën zonja Spiropali na tregojnë që PS-ja dhe pushteti personal i Ramës ka shkuar aq larg, saqë edhe ata që ishin idhtarët më të ethshëm të Ramës, siç ishte zonja Spiropali, e kanë kuptuar që kjo gjë mund të fundosë partinë dhe Shqipërinë”, tha Koka në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

“Po shohin që anija po fundoset, por nuk duan të fundoset totalisht. Spiropali është një nga njerëzit që duan ta shpëtojnë partinë. A mund ta drejtojnë? Kjo është çështje që do ta zgjidhë partia nga brenda, por ata nuk duan që për hir të një timonieri të gabuar, anija e tyre politike të përmbyset. Ata mendojnë që ka një zgjidhje më të mirë si për partinë, ashtu edhe për Shqipërinë. Spiropali e tha që është e gatshme që të kandidojë për Partinë Socialiste. Ajo e di fare mirë që në këto kushte, sikur gara për PS-në të jetë e barabartë, prapë Rama është fitues. Por, unë mendoj se më shumë se për hallin e vet, ajo po flet për dekadencën e një force politike”, shtoi Koka. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos