
Ministrja e Energjetikës, Belinda Balluku, paralajmëroi se vjeshta dhe dimri do të jenë të vështirë, teksa kërkoi bashkëpunimin e vendeve të rajonit për menaxhimin e krizës. Siguria energjetike elektrike u diskutua me përfaqësues të rajonit, në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.
“Kriza energjetike është ulur këmbëkryq në mbarë botën. Duke qenë se vetëm të dielën, nuk e di për ju, por ne na është dashur të dalim në treg për të siguruar një pjesë të energjisë, jemi përballur me çmime që nuk janë parashikuar nga askush. Kemi pasur një provizion të çmimeve që duhet të arrinte deri në 350 euro për megawat/orë, ndërsa jemi përballur me çmime minimumi 492 euro dhe më i larti, 600 euro. Por problemi që kemi sot, është sigurimi i sasive në të ardhmen”, tha Balluku.
“Të gjitha këto na vënë përballë një përgjegjësie shumë të lartë si qeveri dhe duke pasur parasysh buxhetet e vogla që shtetet tona kanë, ajo që bën sens për të ardhmen është një bashkërendim dhe bashkëpunim sa më i ngushtë me njëri-tjetrin, për të plotësuar ato pika që ka mangësi”.
Edhe ministrja serbe e Energjisë, Zorana Mihajlovic, tha se kriza energjetike thërret për solidaritet, lidhje dhe bashkëpunim mes vendeve të rajonit. “Të gjithë jemi nën presion të madh për të siguruar energjinë për dimrin. Sidoqoftë, është e rëndësishme që të diskutojmë edhe projektet strategjike që do ta bëjnë më të qëndrueshme situatën”, tha ajo.
Ballkani i Hapur momentalisht përfshin vetëm 3 shtete, pasi Mali i Zi, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina nuk kanë pranuar të jenë pjesë. Në kuadër të kësaj nisme, shtetet pjesëmarrëse nënshkruajnë marrëveshje që do të garantojnë lirinë e lëvizjes së njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve. (A2 Televizion)