Banka Botërore, pandemia varfëron shqiptarët, niveli mund të arrijë në 43.6%

Nga A2 CNN
30 Maj 2020, 13:31 | Ekonomi
Banka Botërore, pandemia varfëron shqiptarët, niveli mund të

Kriza nga Covid-19 do të gjunjëzojë ekonominë shqiptare. Alarmi vjen nga Banka Botërore, sipas të cilës, Shqipëria do të zhytet thellë në varfëri këtë vit.

Institucioni Financiar Ndërkombëtar vlerëson se varfëria mund të arrijë në 43.6%, teksa në të gjithë rajonin pritet të dalin të varfër mbi 950 mijë individë në rast të një zgjatje të pandemisë.

Koronavirusi ka shkaktuar një goditje të fortë edhe në tregun e punës që sipas studimit të Bankës Botërore, deri në fund të prillit numri i personave të papunë është rritur me 25%, shifër ndjeshëm më e lartë së në rajon.

Më të rrezikuar rezultojnë punonjësit informalë, pasi nuk arrijnë dot të përfitojnë nga masat e qeverisë si dhe të vetëpunësuarit, kjo për shkak se pjesa dërrmuese e tyre punojnë në sektorët më të prekur nga pandemia, si turizmi, tregtia ose transporti.

Kriza nga koronavirusi do të ndikojë veçanërisht sistemin shëndetësor në vend, i cili përveç sfidave të vjetra i duhet të përballet edhe me mungesën e fuqisë punëtore për shkak të largimit të mjekëve.

Në këto kushte, Banka Botërore apelon qeverinë për mbështetje sa më të madhe me fonde dhe investime në këtë sektor, pasi sipas të dhënave zyrtare, shqiptarët shpenzojnë më shumë para se rajoni për shërbimet shëndetësore.

Përballë pandemisë që ka prekur sektorët jetësorë të ekonomisë në vend, Banka Botërore vlerëson se qeveritë e rajonit duhet të vazhdojnë të mbështesin familjet e varfra si dhe armatën e të papunëve me programe të veçanta.

Në një periudhë afatmesme vlerëson institucioni financiar ndërkombëtar, mund të lindë nevoja që qeveritë të rishikojnë nivelin e përfitimit të pagës së papunësisë, ndihmës sociale si dhe pensioneve për kapërcimin e krizës së thellë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos