
Kriza e çmimeve dhe shtrenjtimi i energjisë mund të prishin ekuilibrat duke cenuar qëndrueshmërinë e brishtë të sistemit financiar në vend. Është ky paralajmërimi që vjen nga Banka e Shqipërisë në “Raportin e Stabilitetit Financiar” për gjysmën e parë të vitit.
“Periudha e cila jemi aktualisht përmban disa sfida të rëndësishme që lidhet kryesisht me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare e kryesisht me rritjen e kostos së prodhimit për shkak të çmimeve më të larta të energjisë. Nëse kjo do të vazhdojë, sigurisht që kjo mund të jetë problematike për gjendjen financiare të bizneseve, familjeve dhe mund të sjellë rritje të kredive me probleme në sektorin bankar”, u shpreh Klodion Spahiu.
Në analizën mbi rreziqet që mund të kërcënojnë stabilitetin e sistemit financiar, Banka Qendrore vlerëson se për 6-mujorin e parë ecuria e përgjithshme ekonomike ka qenë pozitive, aq sa t’i lejojë qeverisë të shpenzojë para për të mbrojtur shtresat më vulnerabël. (A2 Televizion)