
Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi reagojë përmes një deklarate për akuzat e lëshuara nga Ministria e brendshme që paralajmëroi për dhunë edhe në protestën e sotme.
Bardhi deklaroi se Partia Demokratike dënon me ashpërsi deklaratën e Ministrisë së Brendshme, e cilësuar si “deklaratë që nxit dhunën dhe nuk i shërben stabilitetit në vend”.
“Dhuna nuk është dhe nuk do të jetë kurrë qëllimi i Partisë Demokratike, deklarata që PD-ja ka prodhuar dhe shpërndarë bomba Molotov janë një sajesë e neveritshme që synon një konflikt dhe frikë te qytetarët. PD ka thirrur sot një marshim protestë kundër dhunës. I siguroj qytetarët që PD është e angazhuar vetëm për protestë paqësore”.
Bardhi i është referuar edhe mbishkrimeve në banesën e ambasadorit të OSBE-së, Berndt Borchardt.
“PD është partia e vlerave demokratike. Është e dënueshme çdo përpjekje e qeverisë për të kundërvënë PD me partnerët, si në rastin e mbishkrimeve në banesën ndaj ambasadorit të OSBE-së. Ne ftojmë prokurorinë të zbulojë kush janë autorët e këtij akti të shëmtuar dhe t’i vërë ato përpara përgjegjësisë. (A2 Televizion)