“Po vrisni njerëz, si s’keni turp!”, Stafa debat të fortë me Muharremin: Populist, luan me njerëzit

Nga A2 CNN
26 Nëntor 2026, 21:28 | Politikë

Mungesa e barnave dhe pajisjeve për trajtimin e pacientëve me kancer u bë shkak për debat në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, mes zyrtarit socialist Alfred Muharremi dhe gazetarit Osman Stafa. Ky i fundit ngriti shqetësimin për mungesën prej tre muajsh të medikamenteve për të sëmurët me kancer në Spitalin Onkologjik.

“Si t'ja bëjmë ne që Shqipëria është pa brakiterapi, ka dy vite, gra të cilat vuajnë nga kanceri gjinekologjik që nuk dinë ku të shkojnë. Edhe kredi nuk u japin aktualisht sot se e dinë ata të bankës se nuk kanë informacion këto zonja që shkojnë atje dhe ua thonë me sinqeritet e duam se do trajtohem për kancerin jashtë shtetit në Turqi, apo në Itali dhe nuk u japin as kredi dhe detyrohen të rrinë në shtëpi me rrezikun se erdhi sot sëmundja, erdhi nesër. Ke një vend i cili në historinë e tij nuk ka pasur një petscan. Torturohen të sëmurët onkologjikë duke ikur nga në Itali në Greqi në Maqedoni. Në momentin që një pacient tre muaj pa medikament, e ke vrarë atë pacientin se nga stadi i dytë vete sëmundja në stadin e katërt. Në momentin që nuk ke braketerapinë e vret atë grua”, iu drejtua gazetari zyrtarit socialist.

Përkundër këtyre deklaratave Muharremi mbrojti investimet e qeverisë në shëndetësi, duke iu referuar rritjes së buxhetit, shtimit të barnave të rimbursueshme dhe zgjerimit të gamës së medikamenteve onkologjike.

“S'ke pas fare pajisje, kemi shtuar gamën e pajisjeve. Nuk kemi petskanin, do ta kesh 2027. ti luan me psikozën e njerëzve dhe ti bën gjë më të gabuar. Nuk më thua dot që unë jam pjesë e një informacionit politik që vras njerëz sepse është e shëmtuar ajo që ti bën. Është e shëmtuar ajo që bën. Nëse ke ti ke përballë një qeveri që ka bërë investimin më të madh në shëndetësi. Një njeri të shprehet publikisht këtu që ke një qeveri që vret njerëz kur ne përpiqemi maksimalisht”.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos