I dënuari dhunoi punonjësin e Burgjeve në Burrel, reagon Drejtoria e Burgjeve

Nga A2 CNN
26 Nëntor 2026, 21:52 | Kronikë

I dënuari dhunoi punonjësin e Burgjeve në Burrel, reagon

Drejtoria e Burgjeve ka reaguar pas dhunës ndaj një punonjësi të Policisë së Burgjeve nga një i dënuar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Burrel.

Në një njoftim të shpërndarë në rrjetet sociale, Drejtoria e Burgjeve, bën të ditur se ngjarja ndodhi gjatë shërbimit të strukturave të sigurisë, në momentin e hapjes së derës së dhomës së banimit. I dënuari Dritan Imeri dyshohet se ka goditur në befasi me një ekspres kafeje inspektorin Agron Bebja, duke i shkaktuar dëmtime në kokë.

Pas ndërhyrjes së punonjësve të sigurisë, situata u neutralizua dhe u rikthye kontrolli në institucion. Inspektorit iu dha ndihma e parë në ambientet e burgut dhe më pas u dërgua për vizitë mjekësore në Spitalin e Matit. Sipas mjekëve, gjendja e tij shëndetësore nuk paraqet rrezik për jetën.

Për rastin është hartuar raporti i incidentit dhe janë njoftuar autoritetet kompetente dhe AMSEVP për vijimin e veprimeve procedurale.

Njoftim për shtyp - Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon se, në IEVP Burrel, gjatë kryerjes së shërbimit nga strukturat e sigurisë, është regjistruar një incident me pasoja për shëndetin e një punonjësi të Policisë së Burgjeve.

Në momentin e hapjes së derës së dhomës së banimit, i dënuari Dritan Imeri ka ndërmarrë një veprim të dhunshëm ndaj punonjësit të grupit të sigurisë, inspektor Agron Bebja, duke e goditur në befasi me një ekspres kafeje dhe duke i shkaktuar dëmtime në zonën e kokës.

Menjëherë pas incidentit, strukturat e sigurisë kanë ndërhyrë për neutralizimin e situatës, duke bërë të mundur ndërprerjen e veprimeve të dhunshme dhe rikthimin e kontrollit në institucion.

Inspektorit iu dha ndihma e parë në ambientet e IEVP Burrel dhe më pas u shoqërua për vizitë mjekësore në Spitalin e Matit. Sipas vlerësimit të mjekëve, gjendja e tij shëndetësore nuk paraqet rrezik për jetën

Pas marrjes së informacionit për incidentin, drejtues të lartë të Policisë së Burgjeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë mbërritur në IEVP Burrel për të ndjekur nga afër situatën dhe për të vlerësuar masat e marra. Në vijim, ata kanë vizituar punonjësin e dëmtuar në banesën e tij, pas daljes nga spitali, duke i shprehur mbështetjen dhe solidaritetin institucional.

Për rastin është përpiluar raporti përkatës i incidentit, ndërsa janë njoftuar autoritetet kompetente dhe AMSEVP për vijimin e veprimeve procedurale dhe trajtimin e mëtejshëm të ngjarjes, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dënon me vendosmëri çdo akt dhune ndaj punonjësve të Policisë së Burgjeve, të cilët përmbushin detyrën e tyre në garantimin e sigurisë, rendit dhe zbatimit të ligjit në institucionet penitenciare.

Njëkohësisht, Drejtoria shpreh mbështetjen e plotë për punonjësit e Policisë së Burgjeve dhe garanton marrjen e masave për mbulimin e shpenzimeve mjekësore të punonjësit të dëmtuar, deri në rikuperimin e plotë të gjendjes së tij shëndetësore, duke i uruar atij shërim të shpejtë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos