
E ftuar në Absolut 4, ku u diskutua mbi rezultatet e Barometrit Ballkanik, të publikuara nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Edlira Gjoni, eksperte e komunikimit, u shpreh se disa gjëra nuk kanë sens.
Gjoni u shpreh se ka pakënaqësi se pse po ikin njerëzit, por ka ulje drastike në dëshirën e ballkanasve për të lënë vendin. Këto gjëra kundërshtojnë njëra-tjetrën, sipas saj.
“Ka disa gjera që mund të kërcasin. Disa gjetje nuk kanë sens me situatën që ka Ballkani. Shqetësimi më i madh i Ballkanit vijon të jetë papunësia dhe situate ekonomike, por kjo na paska një ulje drastike me 15 pikë, krahasuar me vitin e kaluar. Nuk është se shkëlqeu ekonomia. Kjo nuk është e vërtetë, nga ana ekonomike nuk ka ndryshuar asgjë. Në pamje të parë duket se janë dy shqetësimet kryesore për 18 milionë banorët e Ballkanit.
Tjetër, për mua ka një rritje, mendoj artificiale, të korrupsionit. Për mua duhet të shkohet te burimi sesi është bërë ky barometër. Sepse me të njëjtën numër pikësh që është rritur shqetësimi për papunësinë na është rritur shqetësimi për korrupsionin. Me aq sa e njohim ne veten tonë, vërtetë e kemi shqetësim korrupsionin, por jo deri në atë masa sa të mos na zërë gjumi natën.
Sa i përket emigracionit, biznesi mund të shqetësohet, qeveria gjithashtu, politika e ditës, për largimin e qytetarëve. Ka pakënaqësi pse po ikin njerëzit, por ka ulje drastike në dëshirën e ballkanasve për të lënë Ballkanin. Këto gjëra kundërshtojnë njëra-tjetrën. Ka shumë përplasje, shumë kërcitje, në gjetjet e bëra”, tha Gjoni. (A2 Televizion)