
Komisioni i Venecias i ka shqyrtuar vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të vitit 2019 që para dy vjetësh. Ndonëse jo në mënyrë të detajuar, ekspertët ndërkombëtarë kanë dhënë mendimin e tyre se bojkoti i zgjedhjeve nga disa subjekte politike nuk përbën shkak për t’i anuluar ato.
Opinioni që Gjykata Kushtetuese do t’i kërkojë Komisionit të Venecias mbi vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore, është dhënë që në vitin 2019. Një nga argumentet se përse vendoret e atij viti cilësohen nga paditësit si antikushtetuese, është se ato u zhvilluan pa praninë e opozitës. Por ekspertët juristë nuk e kanë cilësuar këtë argument të mjaftueshëm për të shpallur si të pavlefshëm një proces zgjedhor.
Komisioni i Venecias: “Bojkoti i zgjedhjeve nga partitë politike, edhe në qoftë se ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit nuk mund të pengojë zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta. Për ndryshe, këto parti do të merrnin fuqinë për të penguar plotësisht çdo palë zgjedhje”
Arsyeja e këtij opinioni ishte iniciativa e parë e maxhorancës për të shkarkuar Ilir Metën i cili kishte firmosur dekretin që anulonte zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019. Pikërisht ky dekret i presidentit ishte edhe një nga argumentet pse sot kërkohet pavlefshmëria e atij procesi, por përsëri Venecia nuk e pranon veprimin e Kreut të Shtetit.
Komisioni i Venecias: “Presidenti mund të ketë tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese duke anuluar dhe shtyrë zgjedhjet vendore pa një bazë specifike ligjore”.
Ky opinion i Venecias në vitin 2019 u kërkua nga Kuvendi, ndërsa tani është Gjykata Kushtetuese që do t’i drejtohet juristëve ndërkombëtarë. Gjasat janë që Venecia ta detajojë qëndrimin e shprehur dy vjet më parë, por janë të pakta shanset që të përmbysë një vlerësim të dhënë tashmë mbi të njëjtën çështje. (A2 Televizion)